Ishte aq e gjatë duartrokitja e publikut, saqë dukej sikur shfaqja do të niste edhe një herë nga fillimi. Kishte pasur një etje të atillë për të marrë pjesë në një aktivitet të mirë kulturor, saqë pjesëmarrja në ceremoninë e hapjes së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ishte tema e ditës.
Vibronte në ajër dëshira për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje dhe sigurimi i një ftese ishte një sfidë që jo të gjithë e fituan. Mbrëmjen e së mërkurës, pas 5 vite rikonstruksion, Teatri Kombëtar i Operës dhe i Baletit ngriti perdet. Me këtë rast ishin menduar dy koncerte gala, por ishte ai i datës 15 që synonin të gjithë. E bënte kaq të dëshiruar këtë koncert prania e tenorit të madh Placido Domingo dhe sopranos së jashtëzakonshme Ermonela Jaho, të cilët ofruan një performancë mbresëlënëse në skenën e rinovuar të TKOBAP.
Koncerti i ideuar nga Drejtoresha e Përgjithshme e TKOBAP, Zana Çela, niste me një dokumentar prej 30 minutash, ku rrëfehej mbi historinë dhe rikonstruksionin e TKOBAP përmes zërave të shumë artistëve të skenës, drejtoresha Zana Çela, ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ministrja e rikonfirmuar në detyrë, Elva Margariti që përmbylli procesin e rikonstruksionit dhe Kryeministri Edi Rama. Koncerti ishte një ndërthurje e disa prej veprave më të mira dhe simbolike të muzikës operistike dhe e veprave koreografike shqiptare, që mbajnë firmën e kompozitorëve: At Martin Gjoka, Prenkë Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, me kryevepra botërore nga Verdi, Bizet, Puçini, Vivaldi, Serasade, Donizetti etj.
Interpretuan Orkestra e TKOB, nën drejtimin e dirigjentit Martin Andre, korit nën drejtimin e Dritan Lumshit, solistëve Vikena Kamenica, Armando Likaj, Eva Golemi, Klodian Kaçani, Nina Muho etj. Por edhe trupa e baletit, nën koreografinë e Angjelin Preljocajt dhe Julind Dervishit. Një shfaqje dinjitoze, pas së cilës erdhi edhe shpërblimi nga qeveria Rama: dyfishim i pagave të solistëve dhe rishikim i pagave të të gjithë trupës. Në fjalën e rastit, ministrja Elva Margariti e quajti një mbrëmje-homazh, kushtuar njerëzve të dashur që humbëm në betejën me COVID19, mes tyre edhe shumë artistë; korifenjve të skenës që ëndërruan për skenat e mëdha botërore, të cilëve u kushtohej edhe instalacioni me lule të bardha në hyrje të TKOBAP, realizuar nga artisti Ergys Krisiko.
Margariti falënderoi artistët për sakrificat që iu deshën të bënin gjatë periudhës së rikonstruksionit, pa harruar vendimmarrësit, që nisën një ëndërr gjeneratash dhe realizuan rikonstruksionin e kësaj godine. Por, sigurisht që ajo çka të gjithë prisnin ishte performanca e Ermonela Jaho dhe Placido Domingos. Jaho interpretoi arien e Adrianës, “Io son l’umile ancella” nga “Adriana Lecouvreur”, kompozitor: F.Cilea dhe arien e Maria Stuardas, “Deh: Tu di un’umile preghiera” nga opera “Maria Stuarda”, kompozitor: G.Donizetti.
Ndërsa Domingo interpretoi arien e Leandros, “No puede ser” – “La tabernera del puerto”, kompozitor: P. Sorozabal. Kulminacioni i mbrëmjes ishte dueti i Violetta Valery dhe Gorgio Germont, “Madamigella Valery ….” nga opera “La Traviata” e Verdit, nën interpretimin e Placido Domingo dhe Ermonela Jahos. Një duet i ndjerë që ngriti skenën në këmbë. Ndonëse 80-vjeçar, Domingo vazhdon të mbetet një legjendë e operistikës botërore, ndërsa Ermonela Jaho një yll që vazhdon të shkëlqejë fort në skenat botërore.
Ashtu siç edhe pritej, mbrëmja u mbyll me “Brindisi” nga opera “La Traviata”, nën interpretimin e Ermonela Jahos, orkestrës, solistët dhe kori i TKOB, nën dirigjimin e Placido Domingos. Nën duartrokitjet e shumta, Domingo u shpreh tepër i kënaqur për pjesëmarrjen në këtë gala, duke dhënë vlerësimet maksimale për teatrin e ri dhe trupën e TKOB. Ndërsa Ermonela Jaho, duke iu falur skenës, tha se ëndrra e saj filloi pikërisht aty dhe se do të kthehet sërish për të tjera projekte.
Rama: Dyfishohen pagat e solistëve të TOB, shfaqje kulmore
Gjatë prezantimit të programit të mandatit të tretë qeverisës, Kryeministri informoi se pas një konsultimi në orët e fundit me grupin e programit ekonomik, paga e solistëve tanë të jashtëzakonshëm që kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri do të dyfishohet.
“Pas një shfaqjeje kulmore mbrëmë të trupës së teatrit të TKOB-it, ku solistët dhanë një provë prekëse të vlerës së tyre të çmuar për prestigjin e kulturës sonë, duke shkëlqyer pa asnjë dallim krah dy yjeve të skenës botërore, si dhe pas konsultimit në orët e fundit me grupin e programit ekonomik, kemi vendosur që paga e solistëve tanë të jashtëzakonshëm që kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri do të dyfishohet që nga viti i ardhshëm. Po ashtu, së shpejti, do të ketë një program stimulimi financiar në tërësi për atë trupë që është pa diskutim një nga përfaqësitë më europiane e dinjitoze që ka kjo republikë, të cilën do ta motivojmë sa më shumë që të kthehet në një ambasadore të Shqipërisë në botë”, tha Rama.
Meta dekoron Domingon “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekoroi me urdhrin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, tenorin Plácido Domingo, i cili erdhi në Tiranë për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
“I jemi mirënjohës tenorit të jashtëzakonshëm me famë botërore, Maestro Plácido Domingo, për frymëzimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë që u ka dhënë gjithmonë sopranove dhe tenorëve shqiptarë, të cilët e kanë nderuar kombin tonë me sukseset e tyre në skenat ndërkombëtare, si Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu dhe shumë të tjerë.
Prania e kësaj figure të rëndësishme të muzikës dhe operës botërore, si dhe interpretimi i tij i paharrueshëm për artdashësit shqiptarë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ishte kënaqësi e veçantë dhe një ngjarje e madhe, që na nderon. E çmova sot me ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’, sepse nuk mund të gjenim një titull më të mirë vlerësimi për Maestro Plácido Domingo, se sa emrin e Heroit tonë Kombëtar, i cili vazhdon edhe pas kaq shekujsh të jetë frymëzim për rrugën europiane të Shqipërisë”, u shpreh Meta.