Tenori Placido Domingo dhe sopranoja Ermonela Jaho emra të mëdhenj të operistikës botërore u ngjitën në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në mbrëmjen grand gala. Tenori Domingo performoi për herë të parë në skenën shqiptare, ku koncerti celebrues pati dhe pjesëmarrjen e trupave të TKOB, si dhe artistëve më të mirë shqiptarë të operës, baletit, instrumentit. Dirigjent Martin Andre dhe me pjesëmarrjen e solistëve yje të TKOB, si Ylber Gjini, Eva Golemi, Armando Likaj, Vikena Kamenica, etj. Në grand gala tek të ftuarit ishte dhe artisti Elvin Hoxha. Drejtoresha Zana Çela, ministrja e Kulturës Elva Margariti, por dhe të tjerë të ftuar ishin në grand gala mbrëmjen e së mërkurës, por më parë pati zëra artistësh, që u shprehën se nuk ishin të ftuar në inaugurimin e TKOB. Programi erdhi i bazuar në titujt e shfaqjeve më të mira të historisë së teatrit dhe produksionet e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në katër vitet e fundit, të cilat janë pjesë të repertorit klasik më të njohur nga e gjithë audienca. Këto tituj u prezantuan, duke u mbështetur në kronologjinë historike të shfaqjeve të tyre në skenën e teatrit tonë. Më herët, në vigjilje të hapjes, dekori i TKOB fliste edhe për një aspekt tjetër. Lule të bardha vendosur në hyrjen e institucionit, në nderim të viktimave të pandemisë. Teatri Kombëtar të Operës dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi, ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës, cilësisë së zërit, skena, etj. Shfaqja e parë e trupës së TKOB është opera “Rusalka” e kompozitorit rus A.S.Dargomizhsky, e cila u realizua në 27 nëntor të vitit 1953. Shfaqja e parë e baletit të trupës së TKOB, “Kujdesi i kotë” e Hertel u realizua në1957. Shfaqja e parë kombëtare ka qenë opereta “Agimi” e kompozitorit Kristo Kono në vitin 1955. Opera e parë shqiptare, “Mrika” e kompozitorit Prenk Jakova u realizua në 1959. Baleti i parë shqiptar i kompozitorit Tish Daija, “Halili dhe Hajria” u realizua në 1963 me koreografi të Panajot Kanaçit.

https://sot.com.al/kultura/placido-domingo-ermonela-jaho-dhe-artistet-me-te-mire-te-tkob-ne-grand-g-i463679