Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit u hap me mbrëmjen grand gala, që bëri bashkë artistë të njohur. TKOB u hap pas 5 vitesh dhe ndryshe nga më parë për artistët janë ambiente të reja me kushte më të mira pune. Në reagimet e tyre artistë të njohur që prej dekadash zhvillojnë aktivitetin e artistik në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shprehen se hapja e teatrit ka rëndësi në jetën artistike. Sopranoja e parë e TKOB Eva Golemi dhe artisti i njohur popullor Gramoz Burba pak orë përpara mbrëmjes gala u shprehën se skena iu kishte munguar. Sopranoja Eva Golemi thotë se artistëve iu kishte munguar skena e TKOB. “Ndjehem shumë e gëzuar që pas disa vitesh që nuk kemi qenë në shtëpinë tonë më në fund është një ogur i mirë sidomos dhe ardhja e tenorit të madh Placido Domingo, një gjë e jashtëzakonshme, një ëndërr që u bë realitet. Jam e lumtur që do të fillojmë me grand gala dhe në vijim shfaqjet “Traviata”, “Një ballo me maska”, etj”, thotë sopranoja e njohur. Për sopranon Eva Golemi, sfida e artistëve është të përballen me skenën. “Kishte ardhur momenti që të hapej TKOB. Artistët janë të kënaqur që u hap teatri, sepse kur punon në profesionin tënd është gëzim. Sfida më e madhe e artistit është të përballet me skenën. Unë në mbrëmjen gala do këndoj “Vissi d’arte” nga opera “Toska””, u shpreh sopranoja.

https://sot.com.al/kultura/hapet-teatri-i-operes-dhe-baletit-artistet-ishim-si-sportiste-pa-fushe-f-i463678