Teatri Kombëtar i Operas pas 60 vitesh ka tashmë një pamje të re për artistët dhe artdashësit. Kryeministri Edi Rama informoi sot se Teatri i Rilindur Kombëtar i Operas e Baletit do të ngre perden e skenës mbrëmjen e 15 shtatorit, ku do të ngjiten artistë që u rritën aty për të debutuar më pas skënat botërore, por edhe artistë të huaj të njohur në mbarë globin.
“Me padurimin e ngritjes së perdes së skenës së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas e Baletit, ku në mbrëmjen e 15 shtatorit do të ngjiten artistë që u rritën aty për të kapur majat e botës, por edhe artistë të huaj të atyre majave të botës, ju uroj të diel të mbarë!”, shkroi Rama.
“Grand Gala” do të hapet me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të Placido Domingos dhe sopranos Ermonela Jaho. Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka pësuar një transformim jo vetëm në aspektin e akomodimit por edhe garancinë e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër të saj.
Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit filloi funksionin e saj që prej shtatorit të vitit 1966 dhe prej kohësh haseshin problemet që lidheshin me akustikën. Ndaj dhe ndërhyrjet e para për përmirësimet teknike u bënë me në akustikë në vitin 1975. Gjendja e përgjithshme e ndërtesës shfaqej e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë dhe në mirëmbajtje. Ndërhyrje rrënjësore në strukturë nuk ka patur asnjëherë që prej kohës së ndërtimit të tij. Tashmë në godinën e ristrukturuar të TKOB ka më tepër hapësira për shfaqje, për artistët dhe publikun.
E Diela Shqiptare – Tur në Teatrin e Operas dhe Baletit (12 Shtator 2021)