Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të hapet më 15 shtator, me një program të pasur artistik. Pas pesë vitesh mbylljeje për shkak të rikonstruksionit, nën sloganin “Rikonstruksioni – Hapja e TKOB” do të nisin eventet e inaugurimit. Në skenë do të ngjiten dhe emra të mëdhenj të operistikës botërore si tenori Placido Domingo apo dhe sopranoja shqiptare Ermonela Jaho. Në konferencën për shtyp, të organizuar të martën paradite në TKOB, merrnin pjesë ministrja e Kulturës Elva Margariti, dhe drejtoresha e përgjithshme Zana Çela. Ministrja e Kulturës Maragriti gjatë fjalës së saj për punën që është bërë për TKOB dhe rëndësia në jetën artistike, në lidhje me zvarritjen e inaugurimit tha se tërmeti dhe pandemia kanë sjellë kushtëzim. “Përpos gjithë kritikave që na janë bërë për inaugurime të shpeshta të kësaj hapësire, kanë qenë vështirësitë si tërmeti e pandemia që na kanë kushtëzuar”, tha ajo mes të tjerave. Drejtoresha Zana Çela tha se nga data 15 shtator nis një seri aktivitetesh që do të celebrojnë inaugurimin e TKOB dhe do të nisin rihapjen e tij. “Ceremonia përmbledh momentet kulmore të operës duke sjellë edhe premierën më të fundit të Angjelin Preljocajt”, tha Çela. Në përvjetorin e 65-të të krijimit të TKOB u shpall ceremonia e inaugurimit të teatrit, ku drejtoresha Zana Çela tha se për më shumë se dy dekada teatri kishte degraduar. “25 vite teatri kishte degraduar shumë, dhe shkaktonte dhe zhgënjim te artistët dhe publiku”, tha drejtoresha Çela. Në prezantimin për programin e inaugurimit të TKOB, ministrja Margariti u pyet dhe për fundin e mandatit të drejtoreshës Çela, por tha se përpara janë sfida të tjera. “Nuk mendoj që është ky momenti. Kemi sfida të tjera përveç konkursit. Nuk i jemi përmbajtur burokracisë, sepse puna flet vetë”, tha Margariti.

Grand gala

Grand gala do të jetë më datë 15 dhe 16 shtator. Koncerti celebrues ka pjesëmarrjen e trupave të TKOB, si dhe artistëve më të mirë shqiptarë të operës, baletit, instrumentit. Me pjesëmarrjen e solistëve yje të TKOB, si: Vikena Kamenica, Eva Golemi, Armando Likaj, etj. Në konferencë u bë me dije se artistët Ramë Lahaj dhe Gëzim Myshketa ende nuk e kanë konfirmuar prezencën, ndërsa Saimir Pirgu nuk do të jetë i pranishëm pasi është i angazhuar në Londër. Programi është i bazuar në titujt e shfaqjeve më të mira të historisë së teatrit dhe produksionet e TKOB në katër vitet e fundit, të cilat janë pjesë të repertorit klasik më të njohur nga e gjithë audienca. Këto tituj do të prezantohen duke u mbështetur në kronologjinë historike të shfaqjeve të tyre në skenën e teatrit tonë. Për koncertet e datave 15-16 shtator do të shiten bileta, por kalendari i sezonit artistik pritet që të bëhet publik në vijim. Programi artistik për hapjen e TKOB do të nisë më 15 shtator për të vijuar me disa aktivitete deri në fund të muajit, ku më 30 shator do të jetë dhe koncerti i Ansamblit Popullor.

https://sot.com.al/kultura/tkob-rihapet-pas-5-vitesh-ne-skene-placido-domingo-dhe-ermonela-jaho-dre-i462052