Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, “Ditën Botërore të Muzikës” e festoi me një maratonë koncertesh me të gjitha trupat artistike. TKOB para fillimit të koncerteve shprehej me shpresën, që shpejt shfaqjet të jenë me publik masiv. “Gëzuar këtë ditë të veçantë me shpresën se do të shihemi shumë shpejtë në shfaqjet tona me publik masiv, triumfues ndaj pandemisë”, shkruante TKOBAP. Maratona e koncerteve nisi në orën 11:00 në ballkonin e koncerteve të TKOB për të vijuar disa orë më pas gjatë ditës së hënë, me një seri koncertesh të trupave artistike. I pari ishte kuarteti i harqeve të Orkestrës së TKOB me pjesët më të bukura të repertorit shqiptar. Në vijim, kuarteti i dytë harqeve i Orkestrës së TKOB erdhi me pjesët më të bukura të muzikës së dhomës, nga kompozitori Feim Ibrahimi. Pas dy koncerteve me muzikë dhome nga kompozitorët Tish Daija dhe Feim Ibrahimi, ekzekutuar nga kuartetet e harqeve të orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, aktiviteti vijoi në hollin koncertor me “Romancat shqiptare” të autorëve më të njohur shqiptarë. Pjesë e aktiviteteve ishte dhe koncert vokal me solistët e TKOB. Koncerti vokal i solistëve erdhi me romancat më të bukura shqiptare të kompozitorëve Feim Ibrahimi, Simon Gjoni, Vangjo Nova, Çesk Zadeja, Zef Çoba, Spartak Tili, Lola Gjoka, Rauf Dhomi, etj. Më pas ishte dhe koncerti i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore në hyrjen kryesore të TKOB. “Dita Botërore e Muzikës” apo “Festa e Muzikës” është krijuar nga Jack Lang , ish ministër i Kulturës i Francës në 21 qershor 1981 dhe festohet në të gjithë botën në formën e një festivali muzikor. Festa e parë u zhvillua në Francë dhe që prej herës së parë, është kthyer në një fenomen ndërkombëtar dhe festohet në të gjithë botën, në të njëjtën ditë, në më shumë se 460 qytete në 110 vende. Festa e Muzikës prej disa vitesh festohet edhe në Shqipëri.

https://sot.com.al/kultura/tkobap-me-nje-maratone-koncertesh-ne-diten-boterore-te-muzikes-i448663?fbclid=IwAR3ZSq79y_H3ZP32qsXDTAI2y_QkESgSiSCAacW41me7LrJc62ZSeEtf_CM