Opera koncertale “L’elisir d’amore” vjen me të rinjtë e trajnuar, në programet e “Artistëve të së ardhmes” prej 3 muajsh në TKOB. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bën me dije se së shpejti vjen ky produksioni i plotë skenik. “L’elisir d’amore” e kompozitorit Gaetano Donizetti është një nga produksionet që TKOB përgatiti gjatë kësaj kohe, dhe i prezanton më pas edhe online në rrjetet sociale për publikun. Renisa Laçka, Xhieldo Hyseni, Laura Hoxha dhe të tjerë artistë janë pjesë e këtij produksioni. Dirigjente Elda Laro dhe në piano Igli Rrapaj dhe Herta Cane. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit herë pas here ka publikuar punën me artistët për këtë produksion artistik, ku të premten shprehej se ky është finalizimi i parë në programe e opera studios. “5 solistë të rinj në role kryesore, interpretuan në mbrëmjen e dytë të shfaqjes së operës “L’elisir d’amore”, në finalizimin e projektit të parë të opera studio. Të tjera shfaqje të opera studios në vazhdim ”, shprehet TKOB në një status të tij. Në qendër të operës është dashuria e vajzës së pasur dhe kapriçoze dhe djaloshit të ndrojtur, por që përbrenda zien nga dashuria për të. Ardhja e një tjetër djaloshi të ri në fshat, Belkore, që është e kundërta e Nemorinos, e bën më intriguese historinë. Belkore me sharmin e tij e bën për vetë Adinën, ndërsa Nemorino mendon që ky njeri i “mrekullueshëm” bën tamam për zgjidhjen e hallit te tij dhe kërkon patjetër që të përfitojë nga fati i madh, që i ka ardhur në derë. Plot me shpresë i kërkon Dulkamares, nëse ai posedon “Eliksirin e dashurisë së mbretëreshës Izota”, për të bërë të vetën Adinën.

Vepra dhe aktiviteti

“L’elisir d’amore” kompozuar nga Gaetano Donizetti është me libret të autorit Felice Romani. Kjo vepër ka qenë edhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. “L’elisir d’amore” ka qenë opera më e shfaqur në Itali në vitet 1838-1848 dhe është pjesë e repertorit botëror të operave. Vepra përfshin arien e njohur “Una furtive lagrima”. Premiera e “L’elisir d’amore” është shfaqur në Milano në 12 maj 1838. Gjatë gjithë karrierës së tij, Donizetti shkroi 74 pjesë muzikore, duke përfshirë opera, masa, kantata, psalme, etj. Shpejtësia e autorit ishte veçanërisht e habitshme. Për dallim nga kompozitorët e tjerë, ai kompozoi kryeveprat e tij brenda pak ditësh. Baza e veprës së tij ishte melodramatizmi i thellë, talenti i madh poetik dhe një sens shumë i dashur për teatralitetin. Operat e tij të para “Enrico, Count of Burgundy” dhe “London Carpenter” u pritën pozitivisht nga publiku, por nuk u bënë veçanërisht të popullarizuara. Autori është i njohur për veprën e tij “Anne Boleyn”, e cila ndiqet nga vepra të tjera. Gaetano Donizetti ishte një kompozitor i njohur italian. Së bashku me autorët e njohur Gioachino Rossini dhe Vincenzo Bellini, Gaetano Donizetti ishte një kompozitor kryesor i stilit bel canto opera gjatë gjysmës së parë të shekullit XIX.

https://sot.com.al/kultura/opera-lelisir-damore-e-autorit-gaetano-donizetti-nje-produksion-i-ri-nga-i448198?fbclid=IwAR1mnl_NurmCe24yHKkgrHbcNTODHP26bNK5pLXij6KqVizoyiEnmlX2Zuk