Edicioni i katërt i “Eja këndo me ne” u zhvillua dy vite më parë, si një projekt i Tetarit Kombëtar të Operës dhe Baletit. TKOB shprehet se në këtë projekt 30 shkollave 9-vjeçare të Tiranës, iu shtuan dhe të tjera. “Dy vite më parë, në maj 2019 u zhvillua finalja e edicionit të katërt të projektit të TKOB “Eja këndo me ne”, në kuadër të “Edukimit përmes kulturës”. 30 shkollave 9-të vjeçare të Tiranës, ju shtuan në vitin e katërt të projektit edhe 10 shkolla të tjera, nxënësit e të cilave u trajnuan, edukuan dhe mësuan në lidhje me teknikën e të kënduarit në kor. Pas më shumë se 6 muaj trajnimi dhe orësh të hapura muzikore në klasat e tyre, 500 fëmijë nga 10 shkolla, formuan 10 kore, të cilët në finalen e madhe konkurruan mes tyre, për të zgjedhur në edicionin e 4 të projektit shkollën fituese”, shkruan TKOB. Me çmim të parë u vlerësua shkolla “At Zef Pllumbi”, me çmime të dyta shkollat “Naim Frashëri” dhe “Pjetër Budi”, me çmim të tretë shkollat “Qazim Turdiu” dhe “Gjon Buzuku”. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka shkruar edhe më parë për projektin “Eja këndo me ne”. Në 2017, institucioni shprehej se kori i TKOBAP dhe dirigjenti Dritan Lumshi në kuadër të “Edukimit përmes artit” do të realizojnë projektin pilot “Eja Këndo me ne”, me nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Sipas TKOB, ky projekt synonte të njihte të rinjtë me elementët bazë të muzikës korale, si një nga përbërësit kryesorë të gjinisë operistike. “Si tingulli i parë muzikor zëri mbetet edhe sot i pakonkurrueshëm. Ky tingull i magjishëm merr një fuqi të jashtëzakonshme kur bashkohet me zëra të tjerë dhe këndojnë në kor. Nëse asnjëherë nuk ke pasur guximin të shprehesh lirshëm me zërin tënd, të mposhtësh ndrojtjen e të zësh miq të rinj, eja këndo me ne, që të kuptosh se kori është magji”, thuhej në njoftim. Kjo ishte më parë motoja e këtij projekti, i cili organizohej nga TKOBAP. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor është tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit, i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në vendin tonë. TKOBAP është institucioni i krijimit, prodhimit dhe interpretimit të repertorit më të mirë skenik gjithëpërfshirës, kombëtar e ndërkombëtar. Në faqen e TKOBAP thuhet se ka si mision ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave më të mira të teatrit muzikor dhe koreografik, folklorit shqiptar dhe botëror, krijimtarinë e re skenike, ngritjen teknike dhe profesionale, larminë e stileve dhe individualiteteve interpretuese dhe krijuese, edukimin e brezave me veprat më të mira të teatrit muzikor, koreografik dhe folklorik.
Published on 15 06 2021