Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor kujtoi në ditën e lindjes këngëtaren Vaçe Zela, “Legjendën e këngës shqiptare”. TKOBAP shprehej të mërkurën se Vaçe Zela është një ikonë e këngës shqiptare. “Kujtojmë në ditën e lindjes (7 prill 1939), ikonën e këngës shqiptare Vaçe Zelën, që me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj ndër vite mbeten të preferuara edhe sot nga publiku. Ajo i dhuroi publikut shqiptar si edhe muzikës shqiptare zërin e saj të artë”, shprehet Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Në materialin e publikuar TKOBAP shprehet se Vaçe Zela ishte soliste e parë e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, që nga viti 1968 deri në vitin 1988. “Në çdo sukses të merituar që ka arritur Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore si brenda dhe jashtë vendit, këngëtarja e shquar Vaçe Zela bëri për vete një publik mjaft të gjerë. Me zërin e saj, ajo transmetoi te spektatori emocione të fuqishme dhe të papërsëritshme. Pjesëmarrëse në shumë festivale të muzikës në RTSH që prej organizimit të parë të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para. Repertori i saj është shumë i pasur, numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj”, thuhet në materialin e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, që ka publikuar dhe disa foto të këngëtares ndër vite. Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor, Vaçe Zela është vlerësuar me çmimin “Nder i Kombit”. Vaçe Zela (7 prill 1939, Lushnjë – 6 shkurt 2014, Bazel) ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
https://sot.com.al/kultura/tkobap-vace-zela-ikona-e-kenges-shqiptare-i434130