Vepra “Një ballo me maska” shkruar nga Giuseppe Verdi erdhi në formë koncertale me artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Kjo vepër erdhi pas një pune disa mujore të trupave artistike dhe një trajnimi dy-javor të dirigjentit Sebastiano Rrolli me solistët kryesorë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. TKOB më herët shprehej se ariet më të bukura të veprës së Giuseppe Verdi-t do të sjellin në vëmendje heroinën verdiane, e cila merr në dorë fatin e saj e nuk përkulet përballë maskilizmit. “Një ballo me maska” e Verdit sipas TKOB është një produksion, i cili shumë shpejt do të transmetohet online dhe në RTSH 1 HD për të gjithë publikun. “Së shpejti online në Facebook, YouTube, www.tkob.gov.al, si dhe në RTSH 1 HD”, shprehet TKOB. “Një ballo me maska” është vënë dhe më parë në skenën shqiptare, por këtë herë erdhi në një formë koncertale me solistët Eva Golemi, Shpresa Beka, Dorina Selimaj, Armaldo Likaj, Armaldo Kllogjeri, Ivana Hoxha, Erlind Zeraliu dhe Bledar Dhomi. Eva Golemi është një nga zërat e vlerësuar në skenën shqiptare, por tregon se këtë herë në “Një ballo me maska” ishte me rolin e Amelias. Sopranoja thotë se është hera e dytë me këtë rol. “Më parë kam qenë në veprën “Një ballo me maska” në 2008 me regji të Nikolin Gurakuqit, dirigjent Eddi de Naddai. Këtë herë është dirigjent Sebastiano Rolli”, shprehet sopranoja. Për shkak të pandemisë Teatri Kombëtar Operës dhe Baletit po vazhdon me shfaqjet online këtë sezon artistik. Për sopranon e njohur Eva Golemi në këto kushte kjo është më e mira, që mund të bëhet. “Jemi më të pranishëm me publikun në këto kohë të kufizuara prej pandemisë. Në këto kushte është më e mira, që mund të bëhet”, thotë sopranoja Eva Golemi.
Opera dhe Verdi
Fillimisht opera duhej të vihej në teatrin e San Carlo të Napolit. Ajo është frymëzuar dikur nga mbreti i Zvicrës, Gustavi i III-të, viktimë e një komploti të planifikuar gjatë një balloje me maska. Libreti i Antonio Somma-s, u përshtat censurës së asaj kohe. Ajo u ndryshua në itinerarin nga Evropa në Amerikë dhe duke e bërë sovranin protagonist një guvernator të një kolonie angleze. Në shkurt të vitit 1859 në Teatrin Apollo të Romës, ajo arriti një sukses të madh në karrierën e Verdit. Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori më njohur i operës italiane, jo vetëm i shekullit të XIX. Ai mbetet si njëri ndër kompozitorët më të njohur të botës në historinë e operës. Verdi u lind më 10 tetor 1813 në fshatin La Ronkole të Italisë Veriore, në një familje të varfër. Prirja dhe dashuria e tij për muzikën u shfaqën qysh herët, por shkollimi i vështirë. Verdi kompozoi 26 opera dhe një rekuiem të njohur. Meloditë e operave të tij ishin të çliruara nga virtuoziteti dhe koloraturat e tepruara dhe të dominimit të muzikës mbi përmbajtjen. Përmbajtja dhe muzika ishin të mishëruara me njëra -tjetrën, prandaj ai me vëmendje zgjodhi tekstet që do ti kompozonte, dhe bashkëpunoi ngushte me libretistin Piave dhe me shkrimtarin dhe kompozitorin Arigo Boito. Thelloi anën dramatike dhe psikologjike të karaktereve të protagonistëve të operave të tij. Muzika e tij mbështetej në gurrat e muzikës popullore prandaj u mbështet nga shtresat e gjera të popullsisë. Operat më të njohura të cilat radhiten ndër kryeveprat e muzikës operistike të botes janë: “Nabukodonozor”, “Rigoleto”, “Trubaduret”, “Traviata”, “Një ballo me maska”, “Aida”, “Othello”, “Falstaf”. Sipas kritikës, në historinë e gjatë të operës Verdi zë vend të nderit, sepse arriti të bashkojë traditat më të bukura të operës italiane.