Opereta “Agimi”, vepër e kompozitorit Kristo Kono u kompozua në 10-vjetorin e çlirimit të vendit. Teatri i Operës dhe Baletit ka publikuar disa fakte rreth kësaj vepre shqiptare, ku shkruan se për herë të parë u realizua nga amatorët e Shtëpisë së Kulturës në Korçë. “Kompozitori Kristo Kono kompozoi operetën e parë kombëtare “Agimi” në vitin 1954, për nder të 10 -vjetorit të çlirimit të vendit. Kjo operetë u realizua për herë të parë nga amatorët e Shtëpisë së Kulturës të qytetit të Korçës nën drejtimin e vetë autorit me pjesëmarrjen e aktorëve të teatrit profesionist të Korçës dhe të solistit të Filarmonisë Shqiptare, tenorit Zihni Berati. Premiera e kësaj operete u shfaq në 30 nëntor 1954, me regjisorët e Teatrit Popullor dhe të Filarmonisë Shqiptare Pandi Stillu e Mihal Ciko”, shkruan Teatri i Operës dhe Baletit, që ka publikuar dhe foto të kësaj vepre shqiptare. TOB shprehet se në atmosferën e përgjithshme të shfaqjes hyjnë edhe vallet me koreograf Panajot Kanaçin. Sipas teatrit, kjo operetë ka vlerat e saj historike si e para vepër muzikore skenike shqiptare, e cila u vendos në një skenë profesioniste. Kristo Kono krijimtarinë e tij muzikore e filloi qysh në vitet ’20, me këngë e pjesë të vogla instrumentale. Në vitin 1927 Kono shkon për studime në Itali, ku studioi për drejtues orkestre. Gjatë kohës së studimeve në Itali 1927-1932, u pajis me elementet thelbësorë të kompozicionit, si edhe shkruan këngët e para, mbështetur në frymën popullore të këngës qytetare korçare. Me t’u kthyer në atdhe Kristo, që në kontaktin e parë me publikun korçar, ku ai u paraqit si kompozitor, në një koncert të shoqërisë kulturore “Skënderbeu” në shtator 1932 fitoi admirimin e publikut dhe shumë shpejt u bë i njohur me krijimtarinë e tij. Emërohet mësues muzike në liceun e Korçës, ku përveç anës pedagogjike, Kristo Kono përgatiti edhe grupin artistik të liceut. Në të njëjtën kohë nisi punën me korin e mirënjohur artistik “Lira”, si edhe mori në dorë bandën e qytetit. Një aspekt tjetër i punës së Konos ishte mbledhja dhe përpunimi për kor i shumë këngëve popullore, duke iu dhënë atyre cilësi dhe vlera të reja kombëtare. I frytshëm ka qenë bashkëpunimi i Konos me këngëtaren e mirënjohur Tefta Tashko Koço, e cila nga krijimtaria e tij interpretoi me shumë sukses këngët; “Kur më vjen burri nga stani”, “Fol e qesh moj sylarushe”, “Fryn veriu në Mal të Thatë” etj. Kryevepra e Kristo Konos ishte opera “Lulja e kujtimit” në nëntor 1961, e cila u dha disa herë edhe në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit.
Published on 10 02 2021