Drejtoresha e Teatrit të Operas, Zana Çela, vjen në një intervistë për “News 24”, ku flet për disa çështje të nxehta që kanë të bëjnë me institucionin që ajo drejton. Çela ndalet te sezoni i ri artistik, infektimi me Covid-19 dhe përjetimi e sëmundjes, koncertet e Ansamblit në spitalet Covid dhe kritikat që mori. Ajo përgjigjet edhe për fundin e mandatit të saj katërvjeçar dhe analizon mundësitë e një opere private.
Prej vitesh e angazhuar në projekte e aktivitete kulturore, Çela ka pasur shpesh në fokus të rinjtë, duke organizuar deri edhe një festival operistik si “Marie Kraja”, që u bë pikë kthese në karrierat e të rinjve. Tashmë është më të rinjtë që ka hapur sezonin e ri artistik të Operas kushtëzuar ndjeshëm nga pandemia.Ajo tregon si e sheh Operan e së ardhmes.
“E gjithë karriera ime ka qenë e fokusuar te të rinjtë ndërsa si drejtoreshë ka qenë një nga dy përparësitë e mia. Sepse nëse nuk arrijmë të sigurojmë të ardhmen dhe vazhdimësinë e Operas kemi shumë për të humbur”, thotë Çela.
Ata që kanë hyrë në opera si të rinj me role të vogla tashmë hapin sezonin thotë ajo dhe shton se “kemi 102 të rinj në OPERA”, në fusha të ndryshme nga teknika të solistet.
Sezoni i ri ka nisur me trajnime me profesionistë në zë si Elda Laro, ndërsa pjesë e kalendarit do të jetë edhe Gëzim Myshketa.
Çela megjithatë thotë se “Opera do të jetë sërish Online, sepse nuk lejohet publik. Maksimumi 10-15 veta publik në Opera”.
Ajo tregoi në këtë intervistë edhe për infektimin e saj me Covid.
“Unë e kam kaluar covid-19 dhe mund të them se muzika është ushqim shpirtëror dhe për mendjen po ashtu. Ndërsa isha vetë me Covid në shtëpi, fola me drejtorin e spitali dhe i thashë nëse mund të bënim diçka. Atij i pëlqeu ideja e koncertit, sepse tha të gjithë janë të rraskapitur. Unë vetë qetësohesha nga muzika sepse disa ditë kisha gjendje ankthi”. E pyetur se si i priti kritikat, sepse pati kritika se në çastet kur Ansambli mbante koncert mund të ketë pasur pacientë që ndërronin jetë, Çela tha se kritikat janë mendime ndryshe dhe se ideja ishte pozitive e megjithatë, muzika dhe vdekja nuk përjashtojnë njëra -tjetrën.Operan pas pandemisë ajo tha se e do mes njerëzve nëpër qytete e sheshe.
E pyetur mbi debatin për një opera private, Çela tha se ky nuk është një vendim i saj duke theksuar se ajo që duhet bërë është arritja e cilësisë maksimale.Për bashkëpunimet me operat e huaja në bashkëprodhime dhe biznese nuk përjashtohen sepse në art, buxheti nuk mjafton kurrë.
Duke u treguar optimiste për ligjin e sponsorizimeve, Çela iu përgjigj interesit të News24 edhe mbi mandatin e saj. “Kur të ketë një konkurs unë do kandidoj. Po dua te jem sërish në opera, por nuk është vendim i imi, është i Ministrisë së Kulturës dhe Këshillit të Ministrave”, tha ajo.