SHKRUAR NGA JULIA VRAPI
“Katër stinët” nga kompozitori Antonio Vivaldi u luajtën në një koncert instrumental, me interpretimin e artistëve të Teatrit të Operës dhe Baletit. Formacioni i harqeve në TOB, koncertmaestër Gëzim Bulçari dhe Nikola Kondakçi, në klaviçembalo Etrita Ibrahimi dhe basso continuo Jona Çegrani ekzekutojnë në 280 -vjetorin e vdekjes së kompozitorit, një nga veprat e tij më përfaqësuese. Koncerti i datës 29 janar sipas institucionit së shpejti do të jetë online në Facebook, Yotube dhe faqen e teatrit. Formacioni i harqeve i Teatrit të Operës dhe Baletit është me instrumentistët Anduena Sula, Migena Kreci, Mimoza Kolpeja, Lueta Prevazi, Hilda Çekani, Rina Lazri, Gent Jazexhiu, Flobens Zyma, Alkena Shuteriqi, Saimir Katroshi. Për një nga pjesët më përfaqësues të kompozitorit Antonio Vivaldi, Teatri i Operës dhe Baletit shprehet se është si një poemë”. ““Katër stinët” e Vivaldit është si një poemë për natyrën e shprehur në nota”, shprehet teatri. Prej disa muajsh Teatri i Operës dhe Baletit po vazhdon me aktivitetin artistik online me artistët, ku dhe koncerti më i fundit i datës 29 janar do të jetë së shpejti i prezantuar në rrjetet sociale të institucionit. Para disa ditësh nga Teatri i Operës dhe Baletit u bë me dije koncerti “Artistët e së Ardhmes”, ku u angazhuan artistët e rinj që kanë qenë më parë në produksionet artistike, gjithashtu edhe online për publikun. Edhe gjatë vitit që kaloi Teatri i Operës dhe Baletit vijoi me aktivitet artistik online me koncerte të ndryshme apo dhe performanca nga trupa e baletit. Por mbrëmjen e datës 29 janar u luajt pjesa më e famshme e Vivaldit, që është “Katër stinët” e kompozuar në vitin 1723.
Vepra e Vivaldit
“Katër stinët” në kohën e publikimit të tyre në Amsterdam në vitin 1725, ato u shoqëruan me poezi, të cilat përshkruanin me saktësi çdo karakteristikë të secilës stinë, të cilën Antonio Vivaldi kishte për qëllim që ta ngërthente në muzikën e tij. I frymëzuar nga pikturat e peizazhit të artistit italian, Marco Ricci, Antonio Vivaldi kompozoi “Katër stinët” afërsisht në mes 1720 dhe 1723 dhe botoi ato në Amsterdam në 1725. “Katër stinët” përbëhen nga katër koncerte ( pranvera , verë , vjeshtë dhe dimër ), secila në një formë të veçantë. Në thelb, ajo ishte si një poemë për natyrën, ku ai u mundua të realizonte tingujt e katër stinëve. Pranvera është një pjesë, që shpesh përdoret për ceremoni të rëndësishme dhe vazhdon të konsiderohet një nga perlat e muzikës klasike. Referuar shkrimeve, që nga botimi muzikologët e konsiderojnë “Katër stinët” e Vivaldit të jenë ndër muzikën më të guximshme të programit të shkruar ndonjëherë gjatë periudhës barok. “Besohet se Antonio Vivaldi vetë shkroi dymbëdhjetë sonetet individualë për të shkuar së bashku me secilën lëvizje të “Katër stinëve””, thuhet për kompozitorin. Antonio Vivaldi është pa dyshim një nga kompozitorët më të mëdhenj italianë dhe në kurrikulumin e tij rezultojnë mbi 500 koncerte (210 prej të cilave ishin për violinë ose violonçel) 46 opera, sinfoni, 73 sonata, muzikë dhome ( disa sonata për fyell) si dhe Muzikë të Shenjtë. Antonio Vivaldi lindi më 4 mars 1678 në Venecia, Itali. Mësoi violinën nga babai i tij Xhovani Batista (Giovanni Battista). Vivaldi u emërua ‘maestro de’ concerti’ në vitin 1716. Gjatë këtyre viteve, ai shkroi pjesën më të madhe të veprave muzikore, ku përfshihen disa opereta dhe koncerte (vepra muzikore për violinë). Muzika e Vivaldit është inovatore, pasi ka thyer traditën në mënyrën e të kompozuarit. Ai përmirësoi strukturën e koncerteve, ku kërkonte kontraste harmonike, duke krijuar melodi dhe skema të reja interpretimi. Vivaldi ishte në gjendje të kompozonte dhe muzikë jo-akademike, e cila pëlqehej nga pjesa më e madhe e publikut. Vivaldi njihet si një prej artistëve që solli muzikën baroke. Në vitin 1741 ai u nda nga jeta.
https://sot.com.al/kultura/kater-stinet-e-vivaldit-tob-si-nje-poeme-per-natyren-e-shprehur-ne-nota-