Teatri i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor mbrëmjen e 22 janarit nisi sezonin artistik 2021 me ciklin e koncerteve “Artistët e së Ardhmes”. Mbrëmja e dytë më 23 janar vijoi me artistët e rinj, që sipas institucionit kanë shkëlqyer në kryerolet e veprave të mëdha skenike të katër viteve të fundit. Drejtoresha e përgjithshme e TKOBAP Zana Çela, në hapje të eventit u shpreh se është ndërtuar një platformë për teatrin, që parashikonte angazhimin e të rinjve. “Nga eksperienca e jetës time si artiste, mësova se çdo të thotë ti presësh ëndrrën një të riu, pa i dhënë shansin e skenës, ndërsa nga eksperienca e punës si menaxhere arti, e di mirë çfarë mund ti ndodhë një teatri pa i siguruar artistët e të ardhmes. Ndërtuam një platformë e cila jo vetëm parashikonte strategjinë e angazhimit të artistëve të rinj, e konkretizuar me tituj shfaqesh e rolesh ku ata duhet të merrnin pjesë. U punësuan 102 artistë dhe të rinj të tjerë në teknike dhe prodhimin skenik apo marketing”, tha mes të tjerave drejtoresha Çela në fjalën e saj. Në nisje të sezonit artistik drejtoresha Çela foli dhe për vështirësitë që kanë qenë në vitet kur nuk kanë qenë në teatër për shkak të rikonstruksionit, ku dhe studiot kanë qenë të pakta për artistët. Sipas saj, të rinjtë realizuan dhe kryerole ku veç të tjerave iu besua edhe një vepër e plotë operistike. “Edhe pse studiot e ambienteve ku vazhduam aktivitetin në 4 vitet pa teatër ishin të vogla e të pakta në numër, edhe pse nuk kishim sallë provash regjisoriale dhe të tjera kushte normale, arritëm të identifikonim më të talentuarit e ti trajnonim me artistët tanë, të operas dhe baletit e artistë ndërkombëtar, edhe mjeshtrit tanë të skenës. Mes tyre disa realizuan role kryesore, u zhvilluan aq shumë artistikisht sa i besuam veç roleve në tituj të ndryshëm edhe një vepër të plotë. “La Boheme”, produksion i gjithi me të rinj, regjisor, skenograf, personazhet kryesore. Konkurrenca ishte aq e madhe sa prezantuam 3 Mimi, të tria artiste të reja”, shprehet drejtoresha Çela.

Vazhdimësi e traditës

Sezoni artistik 2021 u hap me ciklin e koncerteve “Artistë e së Ardhmes”, duke sjellë një program të pasur muzikor, ku interpretuan artistët e rinj lirikë. Në fjalën saj drejtoresha e TKOBAP Zana Çela mes të tjerave vijoi se është kënaqësi, që sezoni artistik i këtij viti niste me artistët e rinj. “Ne e hapim sezonin artistik 2021 pikërisht me koncertin e tyre me titull “Artistët e së Ardhmes”, me ata që mbështetjen dhe punën trajnuese të stafit tonë, jo vetëm e justifikuan, por tashmë janë kthyer në mbështetje për ne, në siguri për vazhdimësinë e traditës më të mirë të interpretimit vokal, të baletit dhe instrumental. Të dashur miq dhe ju ndjekës fanatik të teatrit, kam kënaqësinë të hapim sezonin 2021 me artistët e rinj, ata që u zbuluan e u trajnuan në 4 vitet e fundit, në vitet më të vështira të historisë, kur teatri ishte pa teatër e pa skenën e studiot e tij”, tha drejtoresha Çela. Në koncert interpretuan solistët e vokalit Ivana Hoxha (mezzosoprano), Denis Skura (tenor), Nina Muho (soprano), Renisa Laçka (soprano) Bledar Domi (bass), Xhieldo Hyseni (bass). Instrumentistët e rinj të punësuar së fundi në TKOB: Ejona Nako (violonçel), Evjord Ngjeliu (klarinetë) si dhe pianistët e rinj, Herta Cane, Igli Rapaj. Pjesë e koncertit ishte dhe pianistja e njohur Etrita Ibrahimi. Koncerti së shpejti do të jetë online në Facebook të TKOB dhe në Youtube. Në vitin 2016, për herë të parë TKOB prezanton një platformë e dedikuar artistëve të rinj. Sipas institucionit, 692 artistë të angazhuar në produksionet e 4 viteve të fundit, 102 artistë të rinj janë punësuar, 227 kaste të reja të cilët kanë realizuar 858 pjesë repertori të ri. Në çdo kast të shfaqjeve të TKOB, minimumi 3 artistë të rinj.

https://sot.com.al/kultura/artistet-e-se-ardhmes-zana-ela-hapim-sezonin-me-artistet-e-rinj-qe-u-zbu