Vepra e baletit “Giselle” është e njohur në skenën shqiptare. Produksioni i ri i baletit “Giselle” në vitin 2018 nga Teatri i Operës dhe Baletit u realizua, në nder të 85-vjetorit të mjeshtrit Agron Aliaj. Institucioni shkruan se kjo rivënie historike përkoi me 30-vjetorin e premierës së baletit “Giselle” në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. “Kostumet dhe skenografia e këtij produksioni të ri u krijuan bazuar në skicat e origjinalit të vitit 1988, të krijuara nga Shaban Hysa. Skenografi i ri Renold Sula rindërtoi skenografinë dhe kostumografi Ardi Asllani rikrijoi nga origjinali kostumet. Kjo shfaqje ishte e dyta në radhën e shfaqjeve më të shitura të 10 viteve të fundit. Dy balerinët e TKOB Anxhelo Muçollari dhe Fatjon Lito u prezantuan për herë të parë, si solist të parë të trupës së baletit”, shprehte Teatri i Operës dhe Baletit. Baleti “Giselle”, i cili është ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane është me dy akte, sipas libretit të J.de Saint Georges dhe T. Gautier dhe muzikë nga Adolphe Adam. Akti i parë i baletit nis në një fshat të qetë, në një shtëpi të rrethuar nga pyje dhe vreshta, ku jeton Giselle me nënën e saj. Giselle është vajza më e bukur e fshatit. Një djalë i ri, Alberti përpiqet ti tërheqë vëmendjen. Ai hiqet si fshatar i thjeshtë, por në fakt është princi i kështjellës fqinje. Giselle e ndjen veten shumë të lumtur nga kjo dashuri. Ndërkohë Hansi mundohet ti mbushë mendjen se Alberti nuk është fshatar, ajo mendon se ai e bën këtë gjë nga xhelozia dhe nuk e beson. Fshatarët kthehen nga vjelja e rrushit dhe bëjnë një festë të madhe. Alberti e kurorëzon Giselle si mbretëreshën e festës. Ndërkohë pasi kanë përfunduar gjuetinë në fshat vijnë për të pushuar disa fisnikë të fshatit fqinj, midis tyre edhe Duka dhe e bija, e cila është e premtuara për fejesë e Princit Albert. E bija e Dukës mahnitet nga bukuria e Giselle dhe i dhuron asaj një varëse dhe e pyet nëse është e dashuruar. Giselle përgjigjet se po dhe kërkon Albertin, por ai nuk gjendet. Ndërkohë fisnikët largohen dhe në skenë shfaqet Hansi i cili këmbëngul se Alberti nuk është ai që duket. Për të vërtetuar fjalët e tij Hansi thërret edhe njëherë në fshat fisnikët. E bija e dukës habitet nga veshja e Albertit, i cili justifikohet duke thënë se ka qenë për gjah. Ndërkohë ndërhyn Giselle, e cila shpjegon se ky është pikërisht djali që ajo desh ti prezantonte në festën e rrushit. Hansi u tregon të gjithëve shpatën e Albertit të cilën ai e kishte fshehur në rrethinat e fshatit për të fshehur gjurmët. Alberti sulmon Hansin me shpatë. Giselle kupton të vërtetën dhe e dëshpëruar humbet ndjenjat dhe vdes.
https://sot.com.al/kultura/baleti-giselle-u-realizua-ne-skene-ne-nder-te-mjeshtrit-agron-aliaj-748