Opera “Carmen” erdhi në skenë në vitin 2018. Teatri i Operës dhe Baletit ka publikuar disa fakte rreth kësaj premiere, e cila riktheu në skenën shqiptare dhe Anbeta Toromanin, ndërsa Gëzim Mysheta këtë herë ishte dhe regjisor. “Pas 16 vjetësh, Anbeta Toromani rikthehet në skenën shqiptare për të qenë pjesë e kastit të operas “Carmen”. Gëzim Myshketa ishte regjisor i këtij produksioni të ri që premierën e pati më 30 janar 2018, por dhe u ngjit në skenë me rolin e Escamillo-s”, shkruan TOB. “Carmen” është një opera në katër akte nga kompozitori francez Georges Bizet. Libreti u shkrua nga Henri Meilhac dhe Ludovic Halevy, bazuar në një roman me të njëjtin titull nga Prosper Merimee. Në vitin 2018, Ivana Hoxha debutoi në rolin e Carmen, Dorina Selimaj dhe Renisa Laçka debutuan në rolin e Michaelas, dhe Antonio Zefi debutoi në rolin e Zunigës. TOB shkruan se koreografia e këtij produksioni të ri u krijua nga Gheorghe Iancu, koreograf me famë botërore. “Pjesëmarrje e jashtëzakonshme ishte ajo e Tinka Kurtit në rolin e nënës së Don Jose-së. Për produksionin e kësaj vepre janë ngjitur në skenë 120 artistë nga të gjitha trupat e TKOB. Produksioni i vitit 2018 i operës “Carmen” ishte vepra e parë operistike ku u ngjit në skenë kori i fëmijëve, në kuadër të projektit “Edukimi përmes Kulturës”. Produksioni i vitit 2018 i operës “Carmen” mbetet shfaqja me shitjen më të madhe të biletave për 10 vitet e fundit”, shkruan Teatri i Operës dhe Baletit për këtë vepër operistike. “Carmen” e Georges Bizet u shfaq në shtator të 2018 në skenën e Pallatit të Kongreseve. Premiera e parë e operës “Carmen” është shfaqur në Operan Komike në Paris, më 3 mars 1875. Shfaqja e parë rezultoi e pasuksesshme. Pas kësaj premiere autori u kujdes të modifikonte dorëshkrimin origjinal në shumë pika. Bizet vdiq papritur pas performancës së 33-të të operës “Carmen”, pa e ditur se puna e tij do të njihej ndërkombëtarisht dhe do të korrte sukses brenda dhjetë viteve të ardhshme. Ngjarja është vendosur në Spanjën jugore dhe tregon historinë e rrëzimit të Don Jose, një ushtar naiv, që është i joshur nga cigania Carmen. Jose heq dorë nga dashuria e tij e fëmijërisë, Michaela dhe nga detyrat e tij ushtarake për Carmen. Pas premierës pati kritika të shumta dhe publiku francez ishte përgjithësisht indiferent. “Carmen” fillimisht fitoi reputacionin e saj nëpërmjet një seri prodhimesh jashtë Francës dhe nuk u shfaq në Paris deri në vitin 1883. Pas kësaj, ajo fitoi shpejt popullaritetin brenda dhe jashtë vendit.
Published on 25 01 2021