Drejtoresha e Përgjithshme e #TKOB, znj. Zana Çela, në cilësinë e Titullares së një prej Institucioneve më të rëndësishme në vend, të cilët kanë aplikuar suksesshëm platforma të teknologjisë së kohës duke prezantuar për publikun vepra dhe shfaqje në të gjitha gjinitë skenike si opera, balet, shfaqje për fëmijë, koncerte të ansambleve orkestrale dhe popullore, referoi sot në konferencën rajonale online “Kultura në kohë Pandemie – shembull i praktikës së mirë në Rajonin e Evropës Juglindore”. Në këtë konferencë merrnin pjesë Ministrat e Kulturës, përfaqësues të institucioneve kulturore dhe përfaqësues të pavarur të skenës së kulturës të vendeve të Evropës Juglindore.
Në fjalën e saj ndër të tjera ajo u ndal në:
– Krijimin e “Strategjisë së mbijetesës”
– Krijimin e sezonit artistik online #NdiqOperamePizhama
– Shifrat rekord të shikueshmërisë dhe audiencës
– Shfaqjet skenike të anuluara si pasojë e COVID-19
– Humbjet në buxhet si pasojë e largimit të sponsorave
– Bashkëpunimet dhe bashkëprodhimet e së ardhmes me teatrot e Evropës Juglindore
Në lidhje me konferencën, znj. Çela theksoi se: “Koncepti ynë për kulturën është hapësira pa kufi, e këtë nuk e themi ne, por kjo është historia e Ballkanit, është vetë jeta jonë. Popujt tanë kanë komunikuar gjithmonë kulturalisht. Artistët tanë gjithashtu. Ne kemi jo vetëm kënaqësinë, por edhe detyrën që të vendosim një gur më shumë në këtë urë komunikimi. Ky komunikim që ne prej kohësh kemi nisur e që po e realizojmë edhe sot është emancipim për shoqëritë tona. Kuron plagët dhe i shërben të ardhmes. Dhe ne të ardhmen e kemi të përbashkët në Evropën e Bashkuar”.
Më poshtë mund të lexoni fjalën e plotë që Drejtoresha e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit, dhe Ansamblit Popullor, znj. Zana Çela, mbajti gjatë Konferencës Rajonale “Kultura në kohë Pandemie – shembull i praktikës së mirë në Rajonin e Evropës Juglindore”:
Të nderuar organizatorë të konferencës, të nderuar kolegë,
Është kënaqësi e madhe për mua të jem sot e pranishme mes jush për të ndarë së bashku një eksperiencë krejt të veçantë, atë të mbijetesës së institucioneve kulturore e konkretisht të teatrove operistike në kohën e pandemisë Covid-19.
Më dt. 8 mars 2020, si pasojë e pandemisë Covid -19 që pushtoi botën, me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, në Shqipëri u pezulluan të gjitha aktivitetet kulturore.
Ky urdhër na erdhi vetëm 2 ditë para vënies në skenë të Operas “La Boheme”. Dritat e skenës u fikën dhe të gjithë biletat e prenotuara nga spektatorët u anuluan, ashtu si edhe kontratat me artistët e huaj që kishin ardhur për të intepretuar së bashku me stafin e artistëve tanë në shfaqjet e operas “La Boheme”. Prekja e vendit tonë nga kjo fatkeqësi e gjeti teatrin tonë në një situatë të veçantë, pasi ne sapo ishim rikthyer në godinën e teatrit i cili kishte 4 vite që i ishte nënshtruar një rikonstruksioni. Gjatë muajve Shkurt-Mars, skena dhe auditoriumi ende nuk kishin përfunduar ndaj shfaqjet tona ekzekutoheshin në teatro të tjerë. Qershori ishte caktuar si muaji kur ne do të inauguronim teatrin e rikonstrukturuar përmes disa performancave operistike, baleti dhe koncerte të ndryshme. Kishim 4 vite që e ëndërronim dhe punonim fort për të celebruar këtë moment.
Por pandemia jo vetëm që nuk na la të ngrinim siparin e skenës sonë të rikonstruktuar, por na dërgoi të gjithëve në shtëpi. “Qëndro në shtëpi dhe puno nga shtëpia” – ky ishte slogani i organizimit të punës për të gjithë institucionet shtetërore dhe private. Po si mund të punojë nga shtëpia Teatri i Operas dhe Baletit kur në përbërjen e tij janë 4 trupa të mëdha artistike: Kori, Orkestra, Baleti dhe Ansambli Popullor të cilët për nga specifikat e tyre duhet të sinkronizohen bashkërisht për të ekzekutuar veprat e ndryshme?
Si mund të vazhdojë puna jonë, për të vazhduar komunikimin me audiencat e madje për t’i shtuar ato ashtu siç kishim planifikuar me hyrjen në teatrin e rinovuar? Dilema jonë zgjati vetëm pak ditë sepse nuk kishim kohë për të humbur, brenda një periudhe 2 javore hartuam një strategji të re me titull “Strategjia e mbijetesës” e cila në qendër kishte krijimin e një përmbajtjeje, një sezoni artistik dixhital i cili do përshtaste shfaqjet tona me masat e sigurisë, kufizimet dhe rregulloret anti-covid, e cila mbi të gjitha, duhet të garantonte mundësitë për të komunikuar me audiencat, e për të rinovuar marrëdhënien e besnikërisë me ta dhe palët e interesit, biznese apo institucione të ndryshme.
Vendosëm të prodhonim një sezon artistik online me titull “Ndiq Opera me pizhame”. Zgjodhëm këtë titull të veçantë, funny, për të dhënë mesazhin se tashmë Opera do të vijë në shtëpitë tuaja, kudo që publiku ndodhet, tashmë mund të na ndiqni me komoditet edhe me pizhama pa u preokupuar për t’u veshur me frak apo kostume mbrëmjeje. Nuk kishim gabuar, goditëm në shenjë me këtë titull, duke tërhequr vëmendjen e gjithë medias dhe veçanërisht portaleve online të cilët e amplifikuan shumë këtë titull.
Sezoni artistik online “Ndiq Opera me pizhama” filloi më 11 prill dhe në të u përfshinë të gjitha trupat tona artistike: Orkestra, Kori, Baleti, Solistët e Vokalit, dhe Ansambli Popullor. Nga prilli e deri më tani kemi transmetuar 41 shfaqje online të prodhuara në audio e video në teatrin tonë me një minutazh prej 50- 70 minuta secila. I gjithë sezoni është transmetuar në kanalin tonë në Youtube, në faqen tonë në Facebook, si dhe në faqen zyrtare web të teatrit, dy herë në javë. Këto shfaqje janë të aksesueshme nga të gjithë, falas. Gjithashtu janë realizuar në total edhe 70 video promocionale – artistike në të cilat përfshihen: Video artistike të artistëve nga shtëpia me mesazhe për respektimin e rregullave anti-Covid, klipe të shkurtra muzikore dhe baleti, etj. Ky kalendar online rezultoi shumë i suksesshëm dhe ka thyer rekordet e audiencës së TKOB. Totali i publikut që ka ndjekur shfaqjet e TKOB nga muaji Prill 2020 deri në tetor 2020 në Facebook, Youtube dhe web është 4 milion e 174 mijë e 489 persona. Në shfaqjet normale të TKOB, në sallat e mbyllura kapaciteti maksimal për një shfaqje është 800 persona dhe maksimumi i publikut në një vit të TKOB për të gjitha shfaqjet e kalendarit artistik është 324,098 persona. Ndërkohë që, vetëm për një shfaqje online të TKOB, mesatarja e numrit të publikut që e ka ndjekur është 108 mijë e 580 persona. I gjithë produksioni online i prodhuar nga stafi ynë pati një jehonë të madhe në mediat e ndryshme të cilat i kanë pasqyruar rregullisht shfaqjet.
Një pjesë e shfaqjeve, janë transmetuar edhe në disa kanale televizive, ndërsa videot janë transmetuar 252 herë gjatë kësaj periudhe në të gjitha mediat e vendit, kombëtare dhe lokale. Gjithashtu janë shkruar edhe 300 artikuj për shfaqjet tona online dhe ngjarjet tona artistike. Deri në fund të Korrikut ne nuk u lejuam të organizonim shfaqje në open air. Gjatë periudhës Shtator-Nëntor, ne u lejuam të organizonim vetëm 5 shfaqje në open air me një audiencë jo më shumë se 50 veta. Ndërkohë që rregullat e reja të ditëve të fundit na detyruan që provat e ekipeve artistike të zhvillohen me jo më shumë se 10 persona. Ky vendim i Ministrisë së Shëndetësisë na ka pezulluar përsëri realizimin e ceremonisë së inaugurimit të teatrit.
Pavarësisht suksesit që ky sezon pati dhe mbështetjes së madhe që iu dha nga publiku, nuk ndodhi e njëjta gjë edhe me sponsorët tanë. Gjatë periudhës së pandemisë kemi humbur 3 sponsorë të mëdhenj, që e përkthyer në shifra do të thotë rreth 60% të buxhetit të munguara nga sponsorizimet për periudhën mars – dhjetor 2020. Deri më tani kemi pasur vetëm mbështetjen e sponsorit gjeneral në shifrën 85,000 euro dhe kohët e fundit na është bashkuar dhe një sponsor tjetër me vlerë 20.000 euro.
Kjo rënie në buxhetet e sponsorizimeve ishte e pritshme, krahasuar dhe me teatrot e tjerë në Evropë për arsyen e mosrealizimit të kalendarit artistik. Në total, gjatë periudhës mars- tetor 2020 janë anuluar rreth 35 shfaqje, mbi 100 aktivitet kushtuar projektit “Edukimi përmës Artit” i cili është pjesë e kalendareve tona artistike. Gjatë kësaj periudhe teatri ynë nuk ka mundur të arkëtojë rreth 155,000 euro të ardhura nga shitja e biletave dhe mbi dyfishin e kësaj shifre nga dhëniet e ambienteve me qera. Teatri ynë është një institucion shtetëror ku 87% e buxhetit mbulohet nga buxheti i shtetit e ndaj në këto periudha të vështira për të gjithë teatrot operistike në botë, ne nuk kemi qenë të rrezikuar financiarisht, pasi Ministria e Kulturës nuk ka shkurtuar asnjë fond për teatrin tonë, dhe të gjithë punonjësit dhe trupat artistike i kanë marrë rrogat rregullisht. Por si pasojë e mungesës së sponsorizimeve buxheti i projekteve artistike është ulur 50%.
Por pavarësisht treguesve financiare, ne arritëm të zgjerojmë shumë audiencat si asnjëherë tjetër e veçanërisht audiencat e reja, duke realizuar kështu objektivin kryesor të 4 vjeçarit të fundit – “Rritjen e audiencave”. Ky fakt na bën optimistë për rikuperimin e shpejtë të buxhetit të sponsorizimeve. Nga ana tjetër, gjatë kësaj periudhe ne kemi qenë në kontakte të vazhdueshme me teatrot e tjerë evropianë, kemi shkëmbyer gjithë eksperiencat tona, veçanërisht përmes konferencave online të organizuara nga Opera Europa. Kjo periudhë e vështirë pandemie na ka lidhur më shumë me njëri tjetrin, jo vetëm në rang global por edhe vetë brenda ekipeve tona. Toleranca, besimi te njëri tjetri, besimi te krijuesit e artistët e rinj, duke i dhënë më shumë fushë veprimi, ka rritur jo vetëm efiçencën e punës sonë por edhe audiencat tona. Kjo periudhë ka qenë periudhë reflektimi për të gjithë menaxherët e teatrove operistike sa i përket ndryshimit të strategjive të menaxhimit drejt një tendence për t’ju afruar më shumë jo vetëm fizikisht por edhe kulturalisht publikut, për t’i dhënë më shumë hapësira në buxhetet e teatrove operistike, transmetimeve dixhitale, duke rritur kështu ndjekësit online të performancave operistike dhe të baletit. Gjatë kësaj periudhe, personalisht kam shkëmbyer ide për formatime e riformatime projektesh me disa drejtues të teatrove në rajon e më gjerë. Jam plot optimizëm që protokollet tona të bashkëpunimit të firmosura gjatë 2018-2019 me teatrot nacionale të operas së Serbisë, Kroacisë, Maqedonisë, etj., do të nisin të implementohen në 6 mujorin e parë të vitit të ardhshëm. Shkëmbimet mes artistëve të teatrove tona kanë nisur por ne presim me padurim realizimin e bashkëprodhimeve operistike dhe të baletit, projekte të cilat do implementojnë thellësisht bashkëpunimin mes teatrove tanë duke dhënë shembullin kryesor edhe në fusha të tjera të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit tonë. Koncepti ynë për kulturën është hapësira pa kufi, e këtë nuk e themi ne, por kjo është historia e Ballkanit, është vetë jeta jonë. Popujt tanë kanë komunikuar gjithmonë kulturalisht. Artistët tanë gjithashtu. Ne kemi jo vetëm kënaqësinë, por edhe detyrën që të vendosim një gur më shumë në këtë urë komunikimi. Ky komunikim që ne prej kohësh kemi nisur e që po e realizojmë edhe sot është emancipim për shoqëritë tona. Kuron plagët dhe i shërben të ardhmes. Dhe ne të ardhmen e kemi të përbashkët në Evropën e Bashkuar.