Në pritje të Ditës Botërore të Operës, Teatri i Operës dhe Baletit zhvilloi koncertin simfonik me krijimtarinë më të bukur të kompozitorit Ludwig Van Beethoven. Romancat, sonatat dhe simfonia nr 1 të kompozitorit Beethoven në 250- vjetorin e lindjes së tij u interpretuan nga orkestra e TOB nën drejtimin e dirigjentit Edmond Doko, solist në violinë Gëzim Bulçari. Koncerti u zhvillua në oborrin e pasëm të Muzeut Historik Kombëtar dhe më herët TOB shprehej se muzika është e nevojshme tani më shumë se kurrë për të ngritur shpirtrat. “Ne kemi zgjedhur muzikën e Beethoven, pasi ajo mishëron mesazhin humanitar të vëllazërisë universale”, pohonte TOB. Ndërsa dirigjenti i njohur Edmond Doko para zhvillimit të koncertit u shpreh se është një nga më të vështirët, në kuptimin akustik. “Koncerti që i dedikohet 250- vjetorit të Beethoven, me veprat më të njohura është një festë duke përkujtuar këtë kompozitor të madh, në të njëjtën kohë për të sfiduar edhe covid-19. Sigurisht që koncerti është në masa të fuqishme, si ruajtja e distancës, ku instrumentistët janë të vendosur larg siç e parashikon protokolli. Por është dhe një nga koncertet më të vështira të kuptimin akustik, sepse është një eksperiencë e re, por ne përpiqemi të jemi vazhdimisht në kontakt me publikun. Por dhe publiku të na përkrahë dhe ndihmojë, që artistët, instrumentistët, solistët të ruajnë formën. Është një situatë sidomos nga artistët nga më të vështirat, më të panjohurat dhe më sfiduese”, thotë dirigjenti Doko. Në koncertin ku ekzekutoi Orkestra e TOB mbajtja e maskës ishte e detyrueshme gjatë gjithë kohës. Ludwig van Beethoven u pagëzua më 17 dhjetor 1770 në Bon, Gjermani dhe vdiq më 26 mars 1827 në Vjenë, Austri. Ishte kompozitor i Epokës Klasike Gjermane. Nuk ka datë të saktë të ditëlindjes së tij, por dihet se është pagëzuar me 17 dhjetor. Orkestra e TOB gjatë gjithë kalendarëve artistik, ka mbajtur peshën më të madhe, që nga fillimi i krijimit të saj e deri sot. Me kalimin e viteve, orkestra u pasurua me instrumentistë të përgatitur fillimisht në Konservatorët e vendeve lindore si Pragë, Leipsig, Sofje dhe më pas nga Konservatori Shtetëror i Tiranës me hapjen e tij në vitin 1961. Orkestra Simfonike e TOB ka dhënë dhe vijon të japë një kontribut të çmuar në ekzekutimin e veprave të kompozitorëve shqiptar dhe atyre botërorë.
https://sot.com.al/kultura/250-vjetori-i-beethoven-orkestra-e-tob-koncert-me-veprat-e-kompozitorit-