Ansamblit Popullor çel këtë mbrëmje sezonin artistik 2020-2021, me koncertin “Në Gjurmët e të Parëve Tanë”. Institucioni bën me dije se ky koncert vjen në kuadër të “Javës së Trashëgimisë Kulturore”, me repertor muzikor nga zona e Shqipërisë së Mesme. Në këtë koncert të parë këtë sezon të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore pas më shumë se 6 muajve larg skenës, do të performojnë para publikut orkestra, grupi i valleve dhe kori i ansamblit, si dhe solistët e njohur popullorë Iris Bega, Artan Shabani dhe Aranit Hoxha. Koncert zhvillohet këtë mbrëmje në orën 19:00 te holli i hapur i Muzeut Historik Kombëtar. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor bën me dije se në këtë koncert hyrja është e lirë për të pranishmit, por duhet bërë rezervimi më parë për pjesëmarrjen ndërsa duhet të respektohen rregullat prej pandeminë dhe mbajtja e maskës. “Mbajtja e maskës është e detyrueshme gjatë gjithë koncertit”, shprehet institucioni në njoftimin e tij për këtë koncert këtë mbrëmje. Në program sonte është Dueti i Tiranës ku interpreton grupi i valleve i Ansamblit Popullor dhe ekzekuton orkestra, për të vijuar dhe me vallen e Shëngjergjit, Trion e Shupalit apo dhe vallen e Fajës. Kolazh i Shqipërisë së Mesme përpunuar nga Xhemal Laçi, kolazh i Shqipërisë së Mesme përpunuar nga Lejla Agolli vjen me interpretimin e korit të Ansamblit Popullor. Koncerti sjell dhe këngë të njohura popullore, që do të vijnë me interpretimin e solistëve të Ansamblit Popullor. Artistët e Ansamblit Popullor ashtu si dhe të tjerë artistët të TOB prej disa javësh kanë nisur punën në mjediset e reja pas rikonstruksionit të këtij institucioni.

Ansambli ndër vite

Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin,lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. Mbështetja e AKVP-së tek kjo pasuri burimore dhe ekspeditat e ndryshme të zhvilluara në të gjitha zonat kanë bërë që AKVP-ja të jetë jo vetëm krenaria e kulturës tradicionale shqiptare, por edhe të mahnitë me vlerat e tij studiues e folkloristë nga e gjithë bota. AKVP-ja prej dekadash është kthyer në një laborator për përpunimin dhe interpretimin me kërkesa mjaft të larta artistike të thesarit të madh burimor folklorik duke bërë të mundur transmetimin e tij brez mbas brezi. AKVP-ja ka mbledhur artistët më të talentuar në këtë drejtim, që të pasqyrojë sa më denjësisht kulturën shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në jetën e tij artistike, AKVP-ja ka rreth 100 premiera, me repertor të zgjedhur. Repertori muzikor ka luajtur një rol të fuqishëm dhe mjaft të suksesshëm në jetën e ansamblit. Vlera të mëdha artistike ka orkestra me instrumentistë nga më të zgjedhurit. Këngëtarët interpretues kanë qenë dhe janë krenaria e vokalit shqiptar. Edhe kori me përpunimet dhe harmonizimet e këngëve burimore dhe të krijuara, ka dhënë një kontribut shumë të vlefshëm si pjesë e domosdoshme dhe e rëndësishme e ansamblit.

https://sot.com.al/kultura/ansambli-popullor-cel-sezonin-artistik-me-koncertin-ne-gjurmet-e-te-pare