Teatri i Operës dhe Baletit çel sezonin artistik mbrëmjen e së enjtes me një koncert premierë, që do të zhvillohet në oborrin e Muzeut Historik Kombëtar. Koncerti premierë titulluar “Agnus Dei” çel sezonin artistik 2020-2021 dhe sjell për herë të parë pas shtatë muajsh artistët e TKOBAP, në një skenë para publikut. Teatri bën me dije se orkestra, solistët dhe kori do të interpretojnë pjesë nga autorët e njohur si Handel, Bach, Mozart, dhe Vivaldi. Në këtë koncert që do të zhvillohet më 1 tetor në orën 19:00 në oborrin e Muzeut Historik Kombëtare interpretojnë Kori i TOB me dirigjent Dritan Lumshi, më klaviçembalo Etrita Ibrahimi dhe solistë janë Dorina Selimaj-soprano, Ina Gaqi- mezzo soprano, Erlind Zerali- tenor dhe Bledar Domi- bass. Me këtë koncert TOB çel sezonin artistik, por bën me dije se për shkak të pandemisë mbajtja e maskës është e detyrueshme për ata, që do të jenë të pranishëm në këtë koncert që do të zhvillohet të enjten në mbrëmje. “Mbajtja e maskës është e detyrueshme gjatë gjithë koncertit”, njofton institucioni, ku hyrja në koncert është e lirë. TOB shprehet se për shkak të vendeve të kufizuara duhet të bëhet rezervimi i biletës ose duke shkruar në rrjetet sociale në institucionit në Facebook dhe Instagram. Në një reagim të tij dirigjenti i korit Dritan Lumshi shprehet se artistët mezi e presin rikthimin e tyre para publikut, ku për këtë sezon artistik koncerti i parë vjen ai me titull “Agnus Dei”. “Pas kaq kohësh prej pandemisë ne filluam dhe mezi e kemi pritur fillimin e punës. Ne shpresojmë që gjërat të shkojnë mbarë dhe ky është një koncert, që ka pjesë nga disa autorë”, thotë mes të tjerave dirigjenti Dritan Lumshi.
Programi i koncertit
Teatri i Operës dhe Baletit pas disa muajsh vjen me artistët para publikut, pasi aktivitetet kanë qenë ndërprerë për shkak të pandemisë dhe në lidhje me këtë koncert shprehet se janë zgjedhur pjesë nga përfaqësuesit e muzikës baroke. “Kjo mbrëmje vjen dhe si një lutje e madhe drejt Zotit, për largimin e mëkateve dhe në emër të dashurisë për jetën. Orkestra, solistët dhe kori do të interpretojnë pjesë nga përfaqësuesit e muzikës baroke: Handel, Bach, Mozart, dhe Vivaldi. Në ritmet e ngadalta të Handel-it do të ndihet vuajtja dhe brenga, të cilat do të pasohen nga “allegrot” e Mozart-it dhe Vivaldi-t, ku do të ndihet madhështia dhe lartësia e Zotit, tek i cili gjejmë paqen e përjetshme”, shkruan institucioni. Ndërsa po fillon sezoni i ri artistik, Teatri i Operës dhe Baletit shprehet në Facebook se “Agnus Dei” dhe muzika baroke janë kryefjala për rikthimin e artistëve në skenë para publikut. “Emocionet janë të shumta para shfaqjes së parë që do të hapë sezonin artistik 2020-2021 të TKOBAP. Urojmë që kjo shfaqje të jetë një ogur i mbarë për vijimin e jetës artistike pas situatës së pazakontë me të cilën artistët dhe publiku u përballën për shkak të pandemisë”, shprehet institucioni. Prej tre vitesh stafi artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit si dhe artistët e Ansamblit Popullor kanë bërë provat për aktivitetin artistik në ish-Kinostudio dhe tashmë të gjithë sektorët artistikë janë në godinën e rregulluar. Fillimi i punimeve në TOB mban datën 15 mars të vitit 2017. Siç është pohuar më parë, projekti i rindërtimit ka kushtuar rreth 1.2 miliard lekë, por për arritjen e standardeve bashkëkohore është përdorur edhe buxhet shtesë. Si institucioni më i madh muzikor dhe skenik i vendit, TOB vendoset në godinën e Pallatit të Kulturës, në vitin 1966, aty ku edhe sot vazhdon aktivitetin e tij.