Presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri sot homazhe në Muzeun Historik Kombëtar për ndarjen nga jeta të artistit të shquar, valltarit simbol të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, Besim Zekthi, të vlerësuar me dekoratën e lartë “Nder i Kombit”.

President Meta, pasi vendosi një kurorë me lule dhe u shprehu ngushëllimet më të tjera anëtarëve të familjes Zekthi dhe të afërmve, kolegëve e bashkëpunëtorëve, vuri në dukje:

“Është padyshim një moment trishtues t’i japim sot lamtumirën e fundit “Kryeshqiponjës së madhe të valles shqipe” për gati gjashtë dekada, këtij kryesimboli jo vetëm të kulturës, por edhe të krenarisë e identitetit kombëtar, të cilin gjithmonë do ta kujtojmë për krenarinë, dinjitetin dhe shkëlqimin e jashtëzakonshëm që i dha popullit dhe kombit të tij në skenat më të njohura europiane e botërore, edhe në momentet më të errëta të izolimit të Shqipërisë.

“Vepra dhe kujtimi i tij do të jenë të përjetshëm! Shpreh ngushëllimet më të sinqerta jo vetëm për familjen Zekthi, por edhe për të gjithë artistët e ato gjenerata që punuan e bashkëpunuan me të në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve tona Popullore! Njëkohësisht inkurajoj artistët e rinj të frymëzohen nga personaliteti që i madhi Besim Zekthi krijoi për të çuar më tej gjithçka që ai arriti me aq pasion dhe sakrifica në skenë!”, tha Meta

“Dua të theksoj se kujtimi më i mirë i Besim Zekthit, por dhe i të gjithë personaliteteve si ai, është të ruajmë trashëgiminë tonë kulturore, të jemi  krenarë për përkatësinë tonë shqiptare dhe të forcojmë identitetin kombëtar. Kjo është rruga më e shpejtë edhe për t’u integruar si të barabartë në familjen europiane”, u shpreh Meta.

https://ata.gov.al/2020/06/29/meta-ben-homazhe-dhe-nderon-simbolin-e-valles-shqiptare-besim-zekthi/