Ditën e sotme është ndarë nga jeta mjeshtri i valles popullore mbarëshqiptare, “Nderi i Kombit”, Besim Zekthi.

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ikjen e një ikone të artit shqiptar. “Falë talentit të spikatur dhe interpretimit të lartë e virtuoz si askush tjetër, ai i dha valles shqiptare, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, të gjithë shkëlqimin e merituar, duke u duartrokitur dhe vlerësuar nga shumë gjenerata. Arti shqiptar humbi sot një prej personaliteteve më të shquara, që me krijimtarinë e tij koreografike, e bëri edhe më të famshëm identitetin dhe kulturën kombëtare në mbarë botën”,- shprehet ndër të tjera, Presidenti Ilir Meta në mesazhin e tij.

Mesazhi i plotë i Presidentit Ilir Meta:

“Lamtumirë kryeshqiponja e valles së shqipeve, Besim Zekthi! Ndarja nga jeta e emblemës dhe solistit të pakrahasueshëm të Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, Mjeshtrit të Madh dhe Nderit të Kombit, Besim Zekthi është thellësisht trishtuese.

Falë talentit të spikatur dhe interpretimit të lartë e virtuoz si askush tjetër, ai i dha valles shqiptare, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, të gjithë shkëlqimin e merituar, duke u duartrokitur dhe vlerësuar nga shumë gjenerata.

Arti shqiptar humbi sot një prej personaliteteve më të shquara, që me krijimtarinë e tij koreografike, e bëri edhe më të famshëm identitetin dhe kulturën kombëtare në mbarë botën.

Edhe në periudhën më të errët të izolimit të vendit, virtuoziteti i Besim Zekthit dhe i artistëve si ai, arriti të lartësonte kulturën e popullit shqiptar dhe identitetit tonë europian edhe në skenat më prestigjoze botërore, ku mori të gjithë vlerësimin e merituar.

Falë emocioneve të papërshkruara në interpretimin e valleve ai rriti krenarinë, optimizmin dhe vetëbesimin e kombit tonë për ditë më të mira, mbështetur fort në rrënjët e traditave dhe vlerave më të mira kulturore e artistike të trashëguara brez pas brezi. Përjetësisht krenarë e mirënjohës për kontributin e Besim Zekthit për promovimin denjësisht të pasurisë sonë kulturore kombëtare, duke i përçuar vlerat e saj tek brezat e artistëve të rinj dhe duke u shndërruar në një shembull të përjetshëm frymëzimi.

Ngushëllimet më të përzemërta familjes Zekthi, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe mbarë komunitetit të artistëve. Vepra dhe kujtimi i Tij do të mbeten të paharruara!”.

https://kohajone.com/ndahet-nga-jeta-ne-moshen-84-vjecare-mjeshteri-i-valleve-popullore-besim-zekthi/