Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare mjeshtri i ansamblit të këngëve dhe valleve popullore, Besim Zekthi.
“Mjeshtri i Madh” dhe “Nderi i Kombit” humbi betejën me sëmundjen e rëndë. Besim Zekthi do të mbahet mend për kontributin e madh që i ka dhënë si kërcimtar valleve popullore shqiptare.
Përveç dekoratave në vendin tonë, Besim Zekthi është vlerësuar me “Gjerdanin e Artë” në Francë në festivalin e vitit 1970 ku performoi me “Festë ka sot Shqipëria”.
Për ndarjen e tij nga jeta ka shprehur ngushëllimet Presidenti Ilir Meta, i cili ka vlerësuar figurën e Besim Zekthit.
“Falë talentit të spikatur dhe interpretimit të lartë e virtuoz si askush tjetër, ai i dha valles shqiptare, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, të gjithë shkëlqimin e merituar, duke u duartrokitur dhe vlerësuar nga shumë gjenerata. Arti shqiptar humbi sot një prej personaliteteve më të shquara, që me krijimtarinë e tij koreografike, e bëri edhe më të famshëm identitetin dhe kulturën kombëtare në mbarë botën.
Edhe në periudhën më të errët të izolimit të vendit, virtuoziteti i Besim Zekthit dhe i artistëve si ai, arriti të lartësonte kulturën e popullit shqiptar dhe identitetit tonë europian edhe në skenat më prestigjoze botërore, ku mori të gjithë vlerësimin e merituar. Falë emocioneve të papërshkruara në interpretimin e valleve ai rriti krenarinë, optimizmin dhe vetëbesimin e kombit tonë për ditë më të mira, mbështetur fort në rrënjët e traditave dhe vlerave më të mira kulturore e artistike të trashëguara brez pas brezi”, shkruan Presidenti Ilir Meta në një postim në Facebook