Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi shpreh trishtimin e saj pas ndarjes nga jeta të mjeshtrit të valleve shqiptare Besim Zekthi. Përmes një mesazhi në Facebook, Kryemadhi shprehet ndër të tjer se, Zekthi ishte ndër artistët më të dashur për shqiptarët.

Mesazhi i plotë i Kryemadhit:

I trishtë dhe gjithë pikëllimë lajmi se është ndarë nga jeta Besim Zekthi, emblema dhe simboli i valles shqiptare! I trishtë dhe gjithë pikëllimë lajmi se pushoi së rrahuri zemra e Besim Zekthit, njërit prej artistëve më të dashur të shqiptarëve! Ndaj nuk gjej fjalë të shpreh dhimbjen e madhe që ndjej. Por, ndërsa përpiqem të shkruaj këto radhë ngushëllimi për familjen e tij, për Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore shqipe e të cilit ai qe dhe do të mbetet gjithmonë, si dhe për të gjithë botën shqiptare të artistëve, për humbjen e madhe dhe të pazëvendësueshme, kam në sy imazhin e tij aq krenar e stoik si kreshnikët, me kërcimin magjepsës; sa burrëror dhe elegant njëherësh, gjithë temperament dhe ndjeshmëri, të cilat vetëm Besim Zekthi mund t’i zotëronte dhe të na i dhuronte me perfeksionin e një mjeshtri që meritoi dhe meriton gjithë nderimin dhe mirënjohjen e një kombi të tërë! Ashtu, me atë imazh do të jetë Besim Zekthi përjetë në kujtesën e shqiptarëve, të cilëve ai iu fali dashurinë e shpirtit të tij. Lamtumirë Besimi ynë i dashur! Të ndrittë shpirti dhe u prehsh në paqe, Besimi ynë i pazëvendësueshëm dhe i paharrueshëm!

https://telegraf.al/politike/shuhet-mjeshtri-i-valleve-kryemadhi-lamtumire-besimi-yne-i-dashur/