Pas një mungese tremujore, për shkak të pandemisë COVID 19, për herë të parë artistët e operës rikthehen para publikut në sheshin “Skënderbej” me performanca live dhe me “Të gjithë e duam Agim Krajkën”.

Pas tre muajsh izolim, për herë të parë artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit rikthehen para publikut në sheshin “Skënderbej”, në Ditën Botërore të Muzikës (21 qershor).

Sopranoja Dorina Selimi interpretoi arie operistike, një kuartet harqesh luajti muzikën klasike, por edhe artistët e Ansamblit të Këngëve edhe Valleve sollën muzikë të njohur popullore shqiptare për publikun rastësor.

 “Po e shijoj performancën live edhe programin në monitor. Një iniciativë shumë pozitive”.

Në rreth 500 karrige pas një ore performancë live publiku në distancë nga njëri tjetri qëndroi për të shijuar edhe në monitorin e madh të vendosur në shesh shfaqjen “Të gjithë e duan Agim Krajkën. I realizuar më herët nga Teatri i Operës, duke sjell kontributin e Krajkës në ansambël për 30 vjet, por edhe këngët fort të dashura për publikun, si “Kafe Vlora” apo “Kënga e Gjyshes”.

“Muzika është një element shumë i domosdoshëm në jetën e njeriut, ka në qendër të shkuarën, të tashmen edhe të ardhmen, prandaj është domosdoshmëri për më shumë aktivitete të tilla”.

“Një iniciativë shumë pozitive, sidomos pas COVID 19. Duhet që të ketë më shumë aktivitete të tilla. Njerëzit kanë nevojë për to”.

Dita Botërore e Muzikës u festua për herë të parë në vitin 1982 në Francë, kur ish ministri i Kulturës, Jack Lang, evidentoi se edhe pse numëroheshin mbi 5 milionë francezë, që luanin një instrument muzikor, koncertet mungonin. Ai zgjodh datën 21 qershor dhe kjo datë u përcaktua si një festë kombëtare për Francën, por pas vitit 1985 u deklarua si festë edhe për Europën, edhe tashmë festohet në vende të ndryshme.

https://shqiptarja.com/lajm/3-muaj-pas-izolimit-artistet-koncert-ne-shesh-publiku-duhet-te-kete-me-shume-aktivitete-te-tilla