Teatri i Operës dhe Baletit po vijon sezonin artistik me shfaqjet virtuale. Trupa e baletit dhuroi të tjera emocione falë performancave të përgatitura nga shtëpitë. Teatri i Operës dhe Baletit shprehet se gjuha e trupit dhe lëvizjet plot jetë transmetuan optimizëm në shfaqjen e radhës të kalendarit online. “Monologje, apo duete, midis valësh apo përmes resh dhe një mesazh më shumë rezistence në këto kohë malli e mungesash”, pohon institucioni, që prej kohësh po prezanton një program artistik, ku artistët performojnë nga shtëpitë e tyre në këtë kohë pandemie. Solistët e trupës se baletit Enada Vaso, Ledia Sulaj, Rovena Shqevi, Lara Livia, Julind Dervishi, Anxhelo Muçollari, Amela Prifti, Fatjon Lito, Andi Vrapi, Lori Bala, Besi Skura, Fjoralba Zere dhe Kevin Lila u bënë bashkë në një mbrëmje në shfaqjen e radhës, me performancat e tyre. Mes performacave që ata kishin përgatitur nuk munguan dhe ato nga baleti i njohur “Monger”, një nga veprat që ka qenë më parë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit me koreografi nga Barak Marshall. Solistja Ledia Sulaj, e vlerësuar me aktivitetin e saj artistik në skenën tonë tregon se disa nga pjesët që ishin përgatitur janë ide e vetë artistëve. Ajo shprehet se gjatë kësaj kohe artistët po performojnë nga shtëpitë e tyre, aq sa ata munden. “Dueti im me Kevin Lila titullohet “Re të bardha”. Por jam dhe tek pjesa e gjatë e baletit “Monger”. Përveç “Monger” që ka koreograf Barak Marshall disa pjesë i performojmë nga shtëpia aq sa mundemi. Pjesët e tjera janë ide e jona dhe që kemi shprehur ndjesinë tonë në kohë karantine. Të gjitha janë të kërcyera në shtëpi”, tregon solistja e njohur Ledia Sulaj për shfaqjen e radhës të TOB, që u prezantua në faqen Facebook dhe kanalin Youtube të institucionit.

Baleti “Monger”

I thellë, me skena dramatike sureale dhe lëvizje atletike, kështu mund të përshkruhet baleti “Monger” nga Barak Marshall. Dramatikisht provokativ dhe argëtues “Monger” shkrin baletin kontemporan, tepër origjinal të Marshall me dialogun me nota të larta humori. Në “Monger” është historia e disa shërbyesve, të cilët e gjejnë veten të izoluar në bodrumin e shtëpisë së një zonje abuzive. Vetë zonja nuk shfaqet asnjëherë në skenë, por simbolizohet nga një zile, e cila tingëllon duke vënë në lëvizje shërbyesit sipas dëshirës së saj. Lufta për të mbijetuar ngre çështje të pushtetit, vullnetit të lirë dhe kompromisit. Ky krijim, ka një kombinim të muzikës nga Balkan Beat Box, tek Handel, Verdi dhe The Yiddish Radio Project. E porositur nga Qendra Suzanne Dellal, ky balet me elementë të theksuar teatralë është vënë për herë të parë në skenë në vitin 2008 e më pas duke hapur Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tel Aviv. Lindur dhe rritur në Los Angeles, Barak Marshall është djali i koroeografes së njohur, yllit të kompanisë së baletit Inbal, Margalit Oved. Edhe pse i hyrë aksidentalisht në botën e baletit në vitin 1995, ai u dallua thuajse menjëherë si një nga zërat më unikë dhe inovativë në Izrael. Krijimi i tij i parë “Aunt Leah” është vlerësuar me çmim të parë në një kompeticion të rëndësishëm të organizuar nga qendra Suzanne Dellal. Në vijim të sezoni artistik, Teatri i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor prej disa javësh po vijon me projektin “Opera me pizhama”, ku performancat e artistëve mund të ndiqen nga shtëpitë. Në një kohë kur aktivitetet në skena janë pezulluar, TOB përmes koncerteve, baleteve, etj, me artistët që interpretojnë ka përzgjedhur pjesë të veprave nga autorë të njohur botërorë.

https://sot.com.al/kultura/trupa-e-baletit-me-pjese-nga-vepra-monger-dhe-duete-ne-programin-artisti