Teksa artistët dhe shoqëria civile, të mbeshtëtur edhe nga opozita protestonin për shembjen e Teatrit Kombëtar, Kryeministri Edi Rama zgjodhi të inspektonte përfundimin e rikonstruksionit të Teatrit të Operas dhe Baletit.

Kreu i qeverisë nuk ka folur gjatë inspektimit të ambienteve të brendshme të Teatrit të Operas dhe Baletit, tashmë të transformuar, teksa është interesuar për ndryshimet e realizuara.

Por përmes videos së publikuar me investimin në këtë institucion kulturor, Rama kujtoi një protestë artistësh të këtij instucioni kur ishte ministër Kulture.

“Në hapësirën e transformuar rrënjësisht të Teatrit të Operas dhe Baletit, ku pas 70 vjetësh solistët, orkestrantët, trupat tona të këngëtarëve e balerinëve, si edhe talentet e mëdha të muzikës lirike e simfonike shqiptare që shkëlqejnë nëpër botë, do të ndjehen më në fund njësoj si në Milano, Londër, New York apo Tokio, m’u kujtua një grevë urie e artistëve që këndonin korin e skllevërve të “Nabucco” me rripa të kuq në kokë, duke luftuar kundër idesë sime si ministër Kulture asokohe, për reformimin radikal të sistemit teatror”.

Një mesazh e ka edhe për kundërshtarët e projektit të Teatrit të ri Kombëtar.

“Plot dy dekada të humbura mes lagështisë, pluhurit, vapës e të ftohtit, degradimit të viteve dhe rënkimeve të dërrasave të skenës e të karrigeve, qoftë këtu e qoftë në të ashtuquajturin Teatër Kombëtar, ku arsyeja e mosarsyes e bashkuar me politikën e pengimit të çdo pune, krijuan vitet e fundit një shesh të radhës, për një përshesh të radhës”.

Një një tjetër koment më herët Rama publikoi foto nga projekti i ri i Teatrit Kombëtar dhe tha se ai do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve.

Sipas Ramës, “përvoja na ka mësuar se ashtu si me vepra të tjera publike, të përbaltuara e masakruara pa nisur akoma puna, nga të njëjtët ngatërrestarë profesionistë, edhe për këtë projekt të vonuar me dhjetëra e dhjetëra vite, do të flasë vetë vepra e përfunduar”.

Ajo sipas Ramës do t’i japë komunitetit teatror skenën dinjitoze kombëtare që nuk e pati kurrë, publikut shqiptar Teatrin Kombëtar që nuk u ndërtua kurrë, Tiranës e Shqipërisë së gjeneratave të tjera, një tjetër destinacion kulturor të përmasave europiane në çdo aspekt.

 

https://tvklan.al/rama-teatri-i-ri-do-te-kete-pelqimin-e-te-gjitheve/