Artistet e Teatrit të Operës dhe Baletit u bënë bashkë me një kauzë, që në mbarë botën po vazhdon të ngrejë mijëra zëra. Performanca e shpirtit kundër dhunës ndaj gruas bëri bashkë balerinat e trupës së baletit, që përmes krijimeve të tyre sjellin një mesazh të fortë në shoqërinë tonë. Me një krijimtari që u punua nga vetë balerinat në shtëpitë e tyre, performanca është pjesë e aktivitetit të radhës nga Teatri i Operës dhe Baletit. “Opera me pizhama” ideuar nga drejtoresha e përgjithshme e Teatrit të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor Zana Çela po vijon të sjellë koncerte, balet dhe performanca soul për publikun, ku janë angazhuar artistët e këtij institucioni gjatë kësaj kohe. Jo vetëm si krijimtari artistike, por me rëndësi kanë dhe mesazhet që përcillen përmes tyre. Më herët drejtoresha e institucionit Zana Çela shprehej se kjo performancë bëri bashkë tetë krijuese të reja. “Ndjehem shumë e emocionuar, që në këtë kohë pandemie ne zbulojmë dhe prezantojmë për herë të parë sonte para jush, 8 krijuese të reja, balerina të trupës sonë Ledia Sulaj, Elda Logo, Lori Bala, Erisa Gina, Ester Bega, Rovena Shqevi, Odeta Dishnica, Denada Hristic. Më e reja prej tyre Ester Bega, sonte ka premierën e daljes së saj të parë para publikut. Përmes krijimeve të tyre TKOB sjell një mesazh të fortë”, shprehet drejtoresha Çela. Muzika e Mozartit është shoqëruese e performancave të artisteve, që vijoi për publikun në YouTube dhe gjithashtu edhe live stream në Facebook. Solistja Ledia Sulaj, një nga emrat e vlerësuar të jetës artistike në vend dhe e dashur për publikun me aktivitetin e saj në skena të ndryshme shprehet se me performancën e radhës ndjesitë e tyre u zbërthyen, në lëvizje koreografike. “Janë momente që na dalin spontanisht secilës prej nesh. Janë të ideuara nga ne se si e mendojmë. Ne jemi tetë vajza dhe ne kemi punuar në kushtet e shtëpisë gjatë kësaj kohe për këtë performancë. Kemi xhiruar në kushtet e shtëpisë, por për ne ka shumë rëndësi ndjesia dhe mesazhi që përcjellim, ku ne vazhdojmë punën tonë edhe online këtë kohë. Janë monolog të ndryshëm nga disa prej vajzave të teatrit tonë mbi këtë kauzë, që mbase dhe është shtuar në këtë periudhë. Ne ndjesitë tona i kemi zbërthyer në lëvizje të vogla”, pohon solistja e njohur Ledia Sulaj. Drejtor produksioni është Klevis Saliaj, që ka në vëmendje dhe merret edhe me montimin e materialeve të artistëve për performancat e ndryshme, si dhe drejtoreshë artistike e trupës së baletit është Manjola Hasani.

“Opera me pizhama”

Teatri i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor prej disa javësh po vijon me “Opera me pizhama”, ku performancat e artistëve mund të ndiqen nga shtëpitë. Në një kohë kur aktivitetet në skena janë pezulluar, TOB përmes koncerteve, baleteve, etj, me artistët që interpretojnë ka përzgjedhur pjesë të veprave nga autorë të njohur botërorë. Për mbrëmjen më të fundit, TOB shprehet se historitë e grave të dhunuara janë të shumta, të ndryshme, asnjëra nuk i ngjan tjetrës, por të gjitha i bashkon dhuna. “Denonco, reago, jepi jetës tënde dritë dhe dil nga errësira, mesazhe të forta, të cilat i kanë veshur në trup dhe shpirtin e tyre solistet e trupës së baletit të Teatrit të Operës dhe Baletit, sepse secila prej tyre është grua si ti”, shkruan teatri. TOB, që prej datës 11 prill nisi sezonin artistik online, i cili sipas institucionit u krijua në gjendjen e izolimit si pasojë e pandemisë botërore të shkaktuar nga Covid – 19. “Në këto kushte, duke dashur të mos i mungojmë asnjë moment publikun fanatik të operës, u krijua ky kalendar on line, i cili do të përfshijë opera, balet, koncerte dhe performanca soul të gjitha trupave, të gjitha mund ti ndiqni në komoditet të plotë nga shtëpia pa menduar të zgjidhni kostumin apo fustanin tuaj të mbrëmjes” bënte me më parë dije institucioni. Në ditët e para të majit, sezoni online nisi me artistet e baletit, që u bënë bashkë me performancat e tyre.

https://sot.com.al/kultura/artistet-e-trupes-se-baletit-behen-bashke-kunder-dhunes-ndaj-gruas-805