Artistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore po vazhdojnë të prezantohen për publikun me krijimtarinë folklorike edhe gjatë kësaj kohe. Ata janë prezantuar me një program të pasur muzikor, ku nuk kanë munguar perlat e krijimtarisë popullore. Drejtuesi artistik i ansamblit Gerti Druga shprehet se “Ansambli në Karantinë” ishte një projekt impenjues, ku nuk llogariten vështirësitë për ta realizuar. Ai shprehet se në këtë projekt është angazhuar trupa e ansamblit, duke publikuar edhe materiale nga artistët e njohur. “”Ansambli ne Karantine”, ky në fakt ishte projekt shumë impenjues, por si gjithmonë, kur përfundon mirë, nuk llogariten vështirësitë! E nisëm me orkestrën e Ansamblit Popullor dhe përfunduam me gjithë trupën. Ju përshëndes, fillimisht me një material polifonik, kënduar mjeshtërisht nga Gramoz Burba dhe Hyso Xhaferaj, bashkë me Bardhyl Xhafka dhe Jani Çekixhi, pastaj me një këngë korçare që unë e dua shumë,”…të na sjellë behare”, luajtur në violinë nga mjeshtri Alban Tahiri dhe në klarinete Artan Shabani, dhe si finale të gjithë mjeshtrat bashkë, orkestra dhe grupi i valleve me në krye Genci Kastrati. Ju përshëndes të gjithëve me këtë realizim shtëpie”, shprehet Gerti Druga, drejtues artistik i Ansamblit Popullor, që me aktivitetin e tij ka shumë vlerësime jo vetëm në skenën shqiptare, por dhe jashtë. Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ka një trupë artistike që prej vitesh zhvillon një aktivitet të pasur artistik. Artistët e AKVP vazhdojnë të jenë të mirëpritur nga publiku, i cili ndjek folklorin tonë interpretuar me mjeshtëri nga trupa artistike. Në vijim të aktivitetit të tyre, artistët e Ansamblit Popullor u prezantuan më parë në një mbrëmje me 6 pjesë, prej të cilave dy krijime të reja iu prezantuan për herë të parë publikut. Edhe pse e xhiruar me telefon në kushte shtëpie, ky program solli më të mirën nga puna e artistëve këtë kohë. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. Mbështetja e AKVP tek kjo pasuri burimore ka bërë që ansambli të jetë jo vetëm krenaria e kulturës tradicionale shqiptare, por edhe të mahnisë me vlerat e tij studiues e folkloristë nga e gjithë bota.

 

https://sot.com.al/kultura/gerti-druga-ansambli-ne-karantine-nje-projekt-impenjues-286