Artistët e Ansamblit Popullor dhe emra të njohur të muzikës së lehtë janë pjesë e koncertit “Të gjithë e duan Agim Krajkën”. Krijimtaria e kompozitorit të njohur vjen këtë mbrëmje, ku Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shfaq këtë koncert për publikun. Kompozitori Agim Krajka “Nderi i Kombit” me krijimtarinë e tij në muzikën popullore, por dhe atë të lehtë si pjesëmarrës në Festivalet e Këngës në RTSH është vlerësuar ndër vite. Koncerti “Të gjithë e duan Agim Krajkën” vjen në sezonin artistik online dhe mund të ndiqet në mbrëmje në orën 20:30 në Youtube dhe Facebook, ku Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor e cilëson si një nga produksionet madhore të tij. Koncerti është me orkestrën simfonike dhe korin, dirigjuar nga Edmond Doko, orkestrinën, trupën e valleve të Ansamblit Popullor. Me pjesëmarrjen e valltares Lili Cingu “Nderi i Kombit” dhe këngëtareve Irma Libohova, Juliana Pasha, Eneda Tarifa, Kamela Islamaj, ku pjesë e koncertit është dhe Xhieldo Hyseni. Në koncert disa nga këngët e muzikës së lehtë janë “Lemza”, “Djaloshi dhe shiu”, “Kënga e gjyshes”, etj. Dy vjet më parë Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit festoi 60 -vjetorin e krijimit të Ansamblit Popullor, ku pjesë e festimeve ishte dhe krijimtaria muzikore e Agim Krajkës. Krijimtaria e Krajkës mori vlera të tjera me muzikën e shumë filmave shqiptarë, të cilët i kompozoi gjatë viteve ‘70-‘80. Kryeveprat e kinematografisë shqiptare si: “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Një shoqe nga fshati”, etj, nuk do kishin vend të veçantë në historinë e kinematografisë tonë, pa kolonat zanore që shkroi “Mjeshtri i madh” kompozitori Agim Krajka. Në materialet e TKOBAP thuhet se kompozitori Agim Krajka i kushtoi çdo ditë të karrierës së tij artistike, folklorit muzikor duke e eksploruar në çdo cep të Shqipërisë, për ta pasur si muzën më të shtrenjtë, më të dashur, e cila do ti jepte frymëzimet më të bukura për veprat muzikore, të cilat gjithmonë bënin tendencën e muzikës së kohës. Ai ishte i fundit që shkëputej nga folklori dhe i pari që ndiqte trendet e muzikës së kohës, prandaj të gjithë e kërkonin dhe donin të bashkëkrijonin e ndanin skenën me të.

Aktiviteti muzikor ndër vite

Agim Krajka erdhi në Ansamblin Popullor dekada më parë si fizarmoniçist me aftësi të rralla dhe individualitet virtuozi. Ai më pas u bë dirigjenti dhe përpunuesi më i rëndësishëm në historinë e ansamblit. Në materialet më parë nga institucioni, shkruhej se “Mjeshtri i Madh” Agim Krajka e ngriti në nivele ekzekutimin e melodive të valleve popullore. Ai me klasin dhe talentin e tij ndërtoi një strukturë në formacionin e orkestrës, e cila nuk ishte parë deri në atë kohë. Ndërtoi modele orkestrimesh e përpunimesh të këngëve dhe valleve nga gjithë krahinat, duke ruajtur me fanatizëm karakteristikat ritmike e melodike. Kjo strukturë mbajti gjatë, deri më sot, gjithë peshën e krijimtarisë së Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve. Agim Krajka u lind në 3 maj të vitit 1937 në një familje me origjinë dibrane. Që në moshën 16 vjeçare, Agim Krajka u dallua për aftësi të rralla, me një individualitet e qartësi ekzekutimi perfekt dhe u cilësua si virtuozi i fizarmonikës. Në vitin 1963, Agim Krajka filloi studimet për teori e kompozicion, nën drejtimin “Artistit të Popullit” Çesk Zadeja. Krijimtaria e tij është voluminoze. Mjeshtri ka kompozuar qindra këngë, valle popullore dhe shumë pjesë për orkestër simfonike si “Suitë me valle popullore” për orkestër simfonike, “Uverturë rinore” për orkestër simfonike, “Romancë” për violinë e orkestër simfonike, “Fantazi” për fizarmonikë e orkestër simfonike.

https://sot.com.al/kultura/krijimtaria-popullore-dhe-ajo-e-muzikes-se-lehte-nga-agim-krajka-nje-kon