Artistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore erdhën me një program të pasur për publikun, që këtë herë i ndoqi nga shtëpitë. Artistët u prezantuan jo vetëm me krijimet e realizuara më parë, por dhe të reja. Teatri Kombëtar i Operës, Baleti dhe Ansamblit Popullor shprehej për mbrëmjen e datës 25 prill, se në më shumë se 25 minuta e gjithë Shqipëria zbret në shtëpitë tona. “Këtë herë mos harroni të ngrini zërin e kompjuterit, telefonit apo televizorit tuaj, sepse ritmet e forta popullore do të na çojnë peshë. 6 pjesë, prej të cilave dy krijime të reja i prezantohen për herë të parë publikut nga yjet e Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve. Edhe pse e xhiruar me telefon në kushte shtëpie, jemi të sigurt se impakti do të jetë si në skenë, aty ku jemi mësuar të duartrokasim mjeshtrat e ritmit dhe folkut shqiptar”, shprehej institucioni për këtë program muzikor, që solli artistët e ansamblit. TKOBAP pohon se është unike, nuk e gjen askund tjetër ritmikën e fortë, që të rrit rrahjet e zemrës. Por për teatrin, kjo është ndjesia që shkakton muzika shqiptare, rrënjët e thella, të vetmet, të cilat nuk i ka asnjë kulturë tjetër në botë. “Ato që të ngrenë peshë, kurdo dhe si do përjetohen, në skenë apo në shtëpi. Nën efektin e dritave shumëngjyrëshe, apo në thjeshtësinë e një videoje nga telefoni, kjo ka pak rëndësi”, shkruan institucioni, që prej kohësh po vijon me sezonin artistik online. Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësine dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. Mbështetja e AKVP-së tek kjo pasuri burimore dhe ekspeditat e ndryshme të zhvilluara në të gjitha zonat kanë bërë që AKVP-ja të jetë jo vetëm krenaria e kulturës tradicionale shqiptare, por edhe të mahnisë me vlerat e tij studiues e folkloristë nga e gjithë bota. AKVP-ja prej dekadash është kthyer në një laborator për përpunimin dhe interpretimin me kërkesa mjaft të larta artistike të thesarit të madh burimor folklorik, duke bërë të mundur transmetimin e tij brez mbas brezi.
https://sot.com.al/kultura/artistet-e-ansamblit-vijne-me-pjese-popullore-per-publikun-719