Shqipëria është nën karantinë, por kjo nuk ndal balerinët që të sjellin krijimet e tyre artistike, edhe pse të izoluar. Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit i Shqipërisë ka vendosur që të jetë pranë publikut, nëpërmjet një sezoni artistik online.

Sikurse programet e shumta që transmetohen gjatë kësaj pandemie koronavirusi, në kushte të pazakonta, balerinët e njohur të TKOB-së do të sjellin performancat e tyre në kushte karantine.

Ky sezon është konceptuar në mënyrë të atillë që përveç transmetimit të shfaqjeve të xhiruara në sezonet e kaluara, të përmbajë edhe performanca solistike të artistëve të xhiruara në kushtet e karantinimit.

Sezoni artistik ka nisur me 11 prill me operan “La Boheme”, që u transmetua live në Facebook dhe Youtube dhe vijoi me krijimtarinë dhe interpretimet e balerinëve Isida Mollaymeri, Dion Gjinika, Eltion Merja dhe Kevin Lila.

Në të njëjtën mënyrë si aktorët e humorit në programet e ndjekura në Shqipëri, edhe balerinët do të performojnë nga shtëpitë e tyre, duke realizuar performanca në kushte karantine.

Ata kanë përshtatur banesat e tyre, jo vetëm për ushtrimet e përditshme, por edhe për të krijuar apo interpretuar, si e vetmja mënyrë për të mbërritur tek publiku në këto kohë izolimi.

Dikush ka improvizuar për t’ju përshtatur hapësirave të limituara, dikush ka krijuar, për të mbërritur me vetëm një klik në shtëpitë e të gjithëve, sepse për një artist, nuk ka mure të pakapërcyeshme, për të shkuar pranë publikut.

https://dosja.al/fotot-per-artistet-nuk-ka-kufinj-edhe-ne-kohe-pandemie-balerinet-e-tkob-se-sjellin-performanca-solistike-te-xhiruara-ne-karantine/