Teatri i Operës dhe Baletit në sezonin artistik online me balete, opera dhe koncerte ka dhe performancat soul me artistë të ndryshëm. Performancat soul janë pjesë e shfaqjeve premierë online me solistët e trupës së baletit. Performca e parë soul shfaqja e radhës e Teatrit të Operës dhe Baletit në këtë sezon artistik online vjen pas operës “La Boheme”, që u shfaq disa ditë më parë. Isida Mollaymeri- “Show must go one”, Eltion Merja – “Dhoma 12”, Dion Gjinika- “Carmina Burana” dhe Kevin Lila- “Meditation”, janë pjesë e performancave soul, që Teatri i Operës dhe Baletit ka menduar për këtë sezon artistik online, që po zhvillohet gjatë kësaj kohe. Teatri i Operës dhe Baletit më herët shprehej se janë krijime nga solistët e baletit dhe përjetimet që ndjen një artist në një kohë të tillë, që po kalojmë. “Krijime origjinale nga solistët e baletit nga shtëpitë e tyre, me ndjesitë e kohës që po kalojnë dhe përjetimet artistike, që një artist ndjen në një periudhë të tillë”, shkruan Teatri i Operës dhe Baletit. Sipas institucionit, veç performancave nga veprat kontemporane si “Carmina Burana” apo “Dhoma12”, prezantohen dhe krijimet origjinale, të pa shfaqura më parë të krijuara dhe interpretuara prej tyre. Artistët që janë pjesë e këtyre performancave janë emra të njohur për publikun në skena, që këtë herë i ndjek online. Teatri i Operës dhe Baletit ashtu si dhe të tjerë institucione për shkak të gjendjes në vend me koronavirusin pezulloi aktivitetin artistik për publikun në skenë. Por në datën 11 prill institucioni bëri me dije se do të nisë sezonin artistik online, për të cilin artistët zhvillojnë provat në shtëpitë e tyre për të përcjellë programin artistik. “Sezon artistik online ndiq “Opera me pizhama”, prej datës 11 prill, opera, balet, koncerte, performanca soul”, shprehej Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ( TKOBAP) pak ditë më parë.

Të gjitha gjinitë e shfaqjeve

Institucioni i Teatrit të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shprehet se duke dashur mos ti mungojë publikut fanatik të operas, u krijua kalendari online, i cili do të përfshijë opera, balet, koncerte dhe performanca soul të gjitha trupave të TKOBAP, të cilat mund të ndiqen nga shtëpia. “Të gjitha gjinitë e shfaqjeve do të transmetohen në faqen e YouTube të TKOBAP dhe njëkohësisht linqet përkatëse do të shpërndahen dhe web, Facebook dhe Instagram. Për të ndjekur free dhe pa pagesë të gjitha shfaqjet e kalendarit online të TKOBAP, mjafton të bëni subscribe në faqen tonë në YouTube”, bënte me dije më parë institucioni për kalendarin artistik që tashmë ka vijuar për të gjithë artdashësit e operës dhe baletit. Po ashtu TOB bën me dije se ndërkohë çdo ditë në YouTube dhe Facebook mund të ndiqet opera “La Boheme”, pa pagesë deri në 24 prill. TOB vjet në muajin mars solli për publikun në skenën e Pallatit të Kongreseve operan “La Boheme” të kompozitorit Giacomo Puccini, libret nga Giuseppe Giacosa dhe Luigi Illica. Regjia e operas “La Boheme” iu besua regjisores së re, Ada Gurra. TOB shprehej se ky ishte produksioni i parë operistik për sezonin janar-qershor 2019, i cili shënon kulmin e angazhimit të krijuesve dhe artistëve të rinj në një produksion operistik, që bëhen bashkë me solistët dhe këngëtarët e ftuar me famë ndërkombëtare.

https://sot.com.al/kultura/perjetimet-artistike-dhe-ndjesite-e-kesaj-kohe-ne-krijimet-e-solisteve-t