Asgjë nuk mundet t’i ndalë artistët në vazhdimin e punës së tyre, madje as izolimi në shtëpi. Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka vendosur që të gjitha shfaqjet t’i transmetojë online, për të gjithë ata që dëshirojnë të vazhdojnë të ndjekin zhvillimet kulturore në kushte shtëpie.

Sot do të nisë sfida më e re për TKOB, e quajtur “Opera me pizhama”, për të ardhur sa më pranë qytetarëve në këto ditë të vështira izolimi. Nga mbrëmja e 11 prillit do të nisë transmetimi në “Youtube” i shfaqjeve të TKOB, të gjitha të planifikuara sipas një kalendari artistik.

Mbrëmjen e sotme do të transmetohet opera “La Boheme” të Giacomo Puccini, një produksion i plotë i TKOB, që shënoi kulmin e angazhimit të artistëve të rinj në tre vitet e fundit. Drejtoresha e TKOB, Zana Çela, është shprehur përmes një videomesazhi se artistët nuk mund të prisnin më gjatë për të sjellë shfaqjet e tyre tek publiku, ndaj gjetën këtë metodë për të ndarë me ta gjithë punën e tyre.

http://shekulli.com.al/sot-pergatituni-per-opera-me-pizhama-nis-sfida-me-e-re-e-tkob-me-shfaqje-online/