Jeta artistike dhe kulturore në vend është paralizuar për shkak të situatës që po kalon vendi ynë, me rrezikun e koronavirusit. Teatrot kombëtare në Tiranë kanë njoftuar pezullimin e shfaqjeve, ndërsa ministrja e Kulturës Elva Maragrit bën me dije se do të monitorohen të gjitha institucionet. “Në kuadrin e këtyre masave, të gjitha aktivitetet kulturore, që parashikojnë mbledhjen në salla të mbyllura të një numri të madh spektatorësh, si koncerte, shfaqje teatrale, opera apo balet, do të anullohen. Do të monitorohen të gjitha institucionet dhe do të merren të gjitha masat për të mos krijuar grumbullime njerëzish, si në salla muzesh, ekspozita etj”, pohon Margariti. Masat u bënë me dije pas identifikimit të dy rasteve të para të koronavirusit, në Shqipëri. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatri Kombëtar, Teatri i Operës dhe Baletit deri në datë 3 prill kanë pezulluar aktivitetin, por ashtu dhe të tjerë institucione që janë në varësi të Ministrisë së Kulturës. Teatri i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor bën me dije se opera “La Boheme” dhe baleti “Carmina Burana” nuk do të zhvillohen. TOB shprehet se të gjithë ata, që kanë prerë bileta duhet të shkojnë pranë sporteleve përkatëse për të marrë lekët që kanë paguar. ““Duke filluar nga data 10 mars 2020 nga ora 09:00 deri në orën 16:00, kushdo që ka blerë një biletë për këto shfaqje të paraqitet në sportelet përkatëse për të dorëzuar biletat që kanë blerë dhe për t’ju kthyer lekët. Faleminderit për mirëkuptimin”, shprehet TOB. Në datat 13, 15 dhe 16 mars TOB do të sillte në skenën e Pallatit të Kongreseve operën “La Boheme” të Puçinit, me regji nga Ada Gurra dhe dirigjent Jacopo Sipari. Baleti “Carmina Burana” ishte menduar të ishte në skenë te “ArTurbina” në mbrëmjet e datave 19 dh 20 mars. Kjo vepër është me koreografi nga Youri Vamos dhe do të interpretohej nga trupa e baletit e TOB.
Komeditë dhe dramat në skenë pezullohen
Por ndryshe nga TOB që bën me dije se të gjithë duhet të shkojnë në sportele për të tërhequr paratë e biletave, Teatri Kombëtar njofton se biletat që janë prerë për shfaqjen “Don Zhuan” janë për shfaqjet e mëvonshme. “Bazuar në mbledhjen e fundit të qeverisë dhe urdhrin mbi: “Anullimin e grumbullimeve masive, aktiviteteve sportive, kulturore, konferencave dhe dëgjesave publike deri në datën 3 prill, njoftojmë të gjithë publikun për pezullimin e aktivitetit artistik deri në këtë datë. Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, ju ftojmë të ruani biletat që keni për shfaqjen “Don Zhuani”. Të gjitha biletat janë të vlefshme për shfaqjet e mëvonshme të “Don Zhuani” ose mund t’i rimbursoni në një periudhë të mëvonshme. Ju lutemi të qëndroni në pritje të një komunikimi tjetër nga ana jonë”, shkruan Teatri Kombëtar. Komedia “Don Zhuan” e Molierit erdhi në “ArTurbina” me regji nga Artan Imami. Këtë herë regjisor, Artan Imami i vlerësuar me aktivitetin e tij në teatër solli për publikun kryeveprën e Molierit. Rolet e komedisë luhen nga aktorët Artan Imami, Xhejni Fama, Luiza Xhuvani, Genti Deçka, Dajana Nenaj, Alesia Xhemalaj, Donald Shehu dhe Xhuliano Brisku. Teatri Kombëtar shprehej se komedia do të ishte në skenën e madhe te “ArTurbina”, nga mbrëmja e datës 6 deri më 15 mars. Edhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” bën me dije se të gjitha aktivitetet do të anullohen deri në një njoftim të ardhshëm. “Për shkak të vendimit të sotëm për anullimin e aktiveve kulturore të gjitha shfaqjet tona anullohen deri në një njoftim të ardhshëm. Të gjitha biletat e shitura për aktivitetet e javës do të rimbursohen pranë biletarisë në oraret 9:00-13:00 dhe 16:00-19:00”, shprehet Teatri Eksperimental. Në skenë Teatri Eksperimental këto mbrëmje do të sillte shfaqjen “Kopshti me dallëndyshe” dhe “Miss Julie”
https://sot.com.al/kultura/paralizohet-jeta-artistike-teatrot-anullojne-shfaqjet-ja-si-do-te-proced