“Grand Opera Franceze”, me pjesë nga kompozitorët Berlioz, Massenet, Saint Sawns vjen nga artistët e Teatrit të Operës dhe Baleti në kuadër të Pranverës Franceze. “Grand Opera Franceze”, zhvillohet këtë mbrëmje në sallën “Tonin Harapi”, në Liceun Artistik “Jotdan Misja”. Orkestra e TOB është nën drejtimin e dirigjentit Jacopo Sipari, dhe soliste është Vikena Kamenica, një nga zërat e vlerësuar të skenës. Mezzo sopranoja e njohur Vikena Kamenica më herët shprehej se do të jetë një koncert me një program të bukur muzikor. “Kompozitorët francez janë një dashuri, që mua s’më shteron kurrë për ta! Një koncert plot ngjyra, plot dritë, me pasion të madh siç këta autorë e japin pa kufi! Një program i rrallë i bërë bashkë me vështirësi orkestrale kur Orkestra e TKOB sjell bravurën e saj dhe unë e lumtur, që i bashkohem në rikthimin tim pas kaq kohësh të arieve të Charlotte, Dalila e Leonore, nga 3 veprat e krenarisë së mezzo sopranove”, shprehet Kamenica. Për Teatrin e Operës dhe Baletit, ajo që bashkon programin e këtij koncerti është periudha e romantizmit në muzikë. “Kompozitorët romantikë ishin të njohur për krijimin e pjesëve unike dhe origjinale të punës muzikore nga e para pasi nuk preknin asnjë kompozim të prodhuar para tyre. Tipar që dallon muzikën romantike nga format e tjera të muzikës është aftësia për të shkaktuar emocione të fuqishme. Dhe për këtë karakteristikë, kjo periudhë krijoi një audiencë të re të dhënë pas melodive të ëmbla dhe harmonive qetësuese. Për këtë arsye, kompozitorët e kësaj epoke, janë admiruar si gjeni në botën muzikore për shkallën më të lartë të saktësisë në ekzekutim, si dhe për talentin e tyre”, thuhet për” Grand Opera Franceze”.
Kompozitorët
Kompozitori Hector Berlioz, jetoi dhe shkroi veprën e tij në shekullin e 18-të dhe konsiderohet si një ndër kompozitorët më romantikë, që la pas studimet e tij në mjekësi, për të ushtruar pasionin që e lidhi që në fëmijëri, muzikën. Në vitin 1938 përfundoi kompozimin e “Romeo dhe Zhulieta”, por kjo pjesë u interpretua për herë të parë më 24 nëntor të 1839 në sheshin e Bastijes. Pas shumë koncertesh, Berlioz vendosi të bënte një udhëtim të gjatë nëpër Evropë në mënyrë që muzika e tij të dilte nga rrethi i ngushtë i përbërë nga miqtë e ngushtë dhe admiruesit e zakonshëm dhe pse jo, të fitonte pak popullaritet jashtë kufijve të vendit të tij. Disa nga etapat e udhëtimeve të tij nëpër Evropë ishin në: Bruksel, Berlin, Hamburg, Lajpcig, Weimar dhe Shtutgart. Në 1845 vizitoi Vjenën, Hungarinë, dhe Pragën. Në 1847 koncertet e tij vazhduan në Rusi me qëndrime disa javore në Riga, Shën Petërsburg dhe Moskë. Në 1872 u vu në skenë opera e parë e madhe nga Jules Massenet “Don Cesar de Bazan”. Ajo dështoi, por oratorio “Mary Magdalene”, e kryer vitin e ardhshëm, ishte një sukses. Por një triumf i vërtetë ishte prodhimi i operës “King of Lahore” në 1877. Pas premierës franceze, ajo u vu në skenë në Dresden, Londër, Madrid, dhe gjithashtu në tetë teatro italiane. Një vit më pas, kompozitori u bë profesor në Konservatorin e Parisit. Me fillimin e shekullit XX, Massenet u bë i famshëm në botë, operat e tij u vunë në skenë në vende të ndryshme. Kompozimi i parë i Camille Saint Sawns daton në 22 mars 1839. Saint Sawns njihet për melodinë e ëmbël dhe artikulimin mahnitës të lëvizjeve të dorës, gjithashtu dallohet në kompozimet e tij përdorimi i ngjyrave muzikore dhe ekspresivitetit, duke gjeneruar entuziazëm tek dëgjuesit. Ai ishte një influencë progresive edhe për kompozitorë pasues si Debussy.
https://sot.com.al/kultura/tob-kete-mbremje-vjen-me-grand-opera-franceze-soliste-vikena-kamenica-10