“Puccini in Love” titullohet koncerti, që zhvillohet nesër më mbrëmje, duke sjell para publikut arie nga krijimtaria e kompozitorit me interpretimin e artistëve të njohur të Teatrit të Operës dhe Baletit. Koncerti do të zhvillohet në Qendrën Kulturore në Katedralen Ortodokse dhe për publikun do të jenë në skenë solistët dhe kori i TOB. Orkestra do të drejtohet nga dirigjenti Edmond Doko. Solistët e operës si Eva Golemi, Ramona Tullumani, Ivana Hoxha, Dorina Selimaj, Nina Muho, Ylber Gjini, tenori Armaldo Kllogjeri, etj, do të jenë në skenë për publikun. TOB shprehet se në të gjithë veprat e tij Puccini përshkruan dhe analizon në një mënyrë aq të thellë karakterin femërore duke hyrë me mjetet e tij muzikore në psikologjinë e personazhit. “Ai gjen gjithnjë mënyrën për të prekur shpirtin e publikut. Askush nuk ka arritur ti ofroj vokalit femëror dhuratë më të bukur se meloditë puçiniane, figura dhe personalitete skenike femërore siç i gjejmë tek veprat e tij”, shprehet teatri. Sopranoja Eva Golemi e shoqëruar nga kori i TOB do të interpretojë arien e Suor Angelica – “Senza mamma” shkëputur nga opera “Suor Angelica”. Sopranoja shprehet se ka një veçanti në krijimtarinë e tij për personazhet femërore. “Puccini në melodramën e tij muzikore ka gruan në gjithë dimensionin e saj. Gruan e dashuruar, të tradhtuar, të dëshiruar, gruan e fortë që sakrifikon për dashurinë, për femijën. Ka një veçanti të gjithë personazhet femërore të Puccini-t përfundojnë me vdekjen shpesh vetëmohuese. Përmendim Butterfly (për sytë e tua të pastër për të mos përjetuar braktisjen e nënës) apo Suor Angelica, që nuk e përballon dot lajmin e vdekjes së fëmijës së saj dhe vret veten me helm kundër urdhrit të saj fetar. Apo Toska, që shkon deri në vrasje të sedutorit të saj për të shpëtuar Marion.V etem Turandot shpëton nga vdekja, por me një detaj që vepra është përfunduar nga studenti i tij”, tregon sopranoja Eva Golemi.

Krijimtaria e kompozitorit

Nga solistët do të interpretohen arie nga operat si “La Boheme”, “Suor Angelica”, “Tosca”, etj. Giacomo Puccini konsiderohet si kompozitori i madh, i përkushtuar ndaj shpirtit femëror. Veprat e tij paraqesin dashurinë e thjeshtë dhe te shëndetshme. Linjat e krijimtarisë artistike të Puccinit janë dashuria për jetën për sensualen dhe kërkimi i vazhdueshëm i kënaqësisë. Giacomo Antonio Domenico Michele Secondo Maria Puccini (i njohur më mirë me emrin Xhakomo Puçini , lindi më 22 dhjetor 1858 – dhe vdiq më 29 nëntor 1924) mendohet si një nga kompozitorët më të mëdhenj operistikë të fund shekullit të 19 dhe të fillim shekullit të 20. Operat e tij më të njohura janë “La boheme”, “Tosca”, dhe “Madama Butterfly”, të cilat janë ndër më të shfaqurat në repertorin standart. Puccini shkroi 14 opera, dhe shumë këngë, të cilat janë shumë të njohura nga publiku mbarë botëror, veçanërisht aria Nessun dorma, nga “Turandot” e cila u këndua nga Luciano Pavarotti, në vitin 1990 me rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit, i cili u zhvillua në Itali.

Puccini, kompozoi edhe një opera bazuar në dramën e Belascos “Vajza e Perëndimit të Praruar”. Ajo pati një sukses të jashtëzakonshëm në premierën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk e arriti dot kurrë famën e “Madama Butterfly”, megjithëse për amerikanët, Puccini mbeti gjithmonë kompozitori më i dashur italian i operave. Ngjarjet e “Vajzës së Perëndimit”, mbështetur në libretin e Belascos, zhvillohen në Kaliforni gjatë periudhës së Etheve të Arit.

https://sot.com.al/kultura/solistet-e-tob-ne-skene-per-publikun-me-koncertin-puccini-in-love-771