Baleti “Monger” nga koreografi izraelito -amerikan Barak Marshall erdhi në skenë, me artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit te “ArTurbina”. TOB shprehet se kjo vepër u prit me interesin e publikut, që kishte mbushur sallën. “Baleti “Monger” një kryevepër e baletit kontemporan i kishte munguar publikut të Tiranës. Sot salla ishte plot ndaj gjithmonë, ju jemi mirënjohës”, shprehet teatri.Kjo vepër ngre çështje të pushtetit, vullnetit të lirë dhe kompromisit, që të gjithë ne bëjmë për të mbijetuar. Ky krijim ka një kombinim të muzikës nga Balkan Beat Box tek Handel, Verdi dhe The Yiddish Radio Project. Historia tregon për disa shërbyes të izoluar në bodrumin e shtëpisë së një zonje, që i shfrytëzon ata. Zonja simbolizohet nga një zile, e cila tingëllon, duke vënë në lëvizje balerinët. Asistente në vepër është Alisa Gjoni dhe drejtore artistike Manjola Hasani. Muzika është e jashtëzakonshme, pasi sjell të kombinuar elemente të muzikës gipsy deri tek ajo klasike dhe rok. Struktura narrative e pjesës është marrë nga disa burime përfshirë edhe pjesën teatrale të Jean Genet “The Maids”, si dhe nga jeta e puna e Bruno Shultz. Në vepër interpretuan Rovena Shqevi, Lori Bala, Livia Laro, Fjoralba Zere, Dion Gjinika, Anxhelo Muçollari, Kristi Dushmani, Besi Skura, Julind Dervishi dhe Andi Vrapi.

E porositur nga Qendra Suzanne Dellal, ky balet me elementë të theksuar teatralë është vënë për herë të parë në skenë në vitin 2008, e më pas duke hapur Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tel Aviv. Lindur dhe rritur në Los Angeles, Barak Marshall është djali i koroeografes së njohur, yllit të Kompanisë së Baletit Inbal, Margalit Oved. Edhe pse i hyrë aksidentalisht në botën e baletit në vitin 1995, ai u dallua thuajse menjëherë si një nga zërat më unikë dhe inovativë në Izrael. Krijimi i tij i parë “Aunt Leah” është vlerësuar me çmim të parë, në një kompeticion të rëndësishëm të organizuar nga qendra Suzanne Dellal. Barak ka krijuar koreografi për kompani të ndryshme baleti në të gjithë botën, ku mund të përmendim Les Ballets Jazz de Montreal, Ballet Rambert, Cisne Negro, Bodytraffic dhe Ballet Junior de Geneve. Në materialet e publikuara dikur në TOB, thuhej se që prej 2008 krijimet e Barak Marshall janë prezantuar mbi 1000 herë në Izrael, Europë, Azi dhe Amerikën e Veriut, etj.

https://sot.com.al/kultura/baleti-monger-nje-veper-kontemporane-ne-skenen-e-arturbines-650