Më 3 shkurt, ora 19:00, në ArTurbina do të shfaqet baleti “Monger” i koreografit të famshëm izrelito-amerikan Barak Marshall, i interpretuar nga balerinët shqiptarë të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Kjo shfaqje e përshtatur edhe për Shqipërinë, është cilësuar nga kritika si “një krijim i shkëlqyer, inteligjent, dhe me humor”. E veҫanta e saj është fakti që së bashku me gjuhën e trupit ndërthuret edhe fjala, një element jo i zakonshëm në shfaqjet e baletit. Ky balet kompleks, me situata shumë reale fton publikun, jo vetëm për të ndjekur një shfaqje artistike, por edhe për një përballje me veten dhe raportet me mjedisin ku ushtrojmë aktivitetin çdo ditë. ”Mongeri” do të prezantohet në skenë nga balerinët e TKOB-it, Rovena Shqevi, Ledia Sulaj, Lori Bala, Livia Laro, Fjoralba Zëre, Dion Gjinika, Anxhelo Muçollari, Kristi Dushmani, Beni Skura, Julind Dervishi e Andi Vrapi.
Published on 02 03 2020