Teatri i Operës dhe Baletit i është nënshtruar një projekti rikonstruksioni, dhe sipas ministres së Kulturës Elva Margariti po shndërrohet në një hapësirë të ëndërruar për artistët. Gjatë një vizite së fundmi në Teatrin e Operës dhe Baletit, ministrja e Kulturës u shpreh se kjo ndërtesë priti për gjashtë dekada, që të shihte një investim të tillë. “Po shkurtohen ditët, kur punëtorët do t’ia lënë vendin artistëve të skenës. Ditë pas dite shohim se si ajo gërmadhë, që nuk arrinte të mbante më mbi supe, me emrin e madh të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, po shndërrohet në hapësirën e ëndërruar nga të gjithë artistët. Kjo ndërtesë priti gjatë, plot 60 vjet që nga dita e ndërtimit, që të shihte një investim kaq madhor. Së shpejti ajo do t’i kthehet prapë artistëve e publikut, që do të mund të shijojnë një shfaqje si kudo në Europë, pa u shqetësuar për të ftohtët e dimrit dhe vapën e verës”, shprehet ministrja Margariti. Teatri i Operës dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës, cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër, falë investimit të qeverisë shqiptare. Salla e Teatrit të Operës dhe Baletit ka filluar të shfrytëzohet që nga shtatori i vitit 1966 dhe që në fillim janë hasur problemet që lidheshin me akustikën si: intensiteti i ndryshëm i përhapjes së valëve zanore në mënyrë jo të njëtrajtshme në pika të ndryshme (dhe veçanërisht në lozhën qeveritare) dhe dëgjimi i dobët dhe pa kolorit. Për këtë u bënë ndërhyrjet e para në akustikë në vitin 1975. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor është tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit, i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në vendin tonë. TKOBAP është institucioni i krijimit, prodhimit dhe interpretimit të repertorit më të mirë skenik gjithëpërfshirës, kombëtar e ndërkombëtar. Historia e TOB fillon në vitin 1950-të, vit në të cilin u krijua Filarmonia shqiptare, ku bënin pjesë kori i shtetit, orkestra simfonike, këngëtarët lirikë, trupa e baletit, dirigjentët, regjisori dhe një grup i vogël administrativo-teknik. Filarmonia e zhvilloi aktivitetin e saj në godinën ku sot ndodhet Teatri Kombëtar dhe më vonë në vitin 1953 u transferua në godinën ku sot është Universiteti i Arteve. Në këtë godinë u realizuan shfaqjet e para të operës dhe baletit. Si institucioni më i madh muzikor dhe skenik i vendit, TKOB vendoset në godinën e Pallatit të Kulturës, në vitin 1966. Në vitin 2015, Këshilli i Ministrave vendos që godina ti nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë dhe në mars të vitit 2017 trupat zhvendosen në dy godina pranë Ministrisë së Kulturës në ish-Kinostudion “Shqipëria sot”.

https://sot.com.al/kultura/margariti-tob-po-shnderrohet-ne-hapesire-te-enderruar-per-artistet-230