Opera “La Boheme” e Puçinit këtë sezon artistik vjen në skenën e Pallatit të Kongreseve për publikun. Teatri i Operës dhe Baletit në ditët e muajit, që vjen sjell në skenë një nga veprat operistike, që ka njohur suksesin e saj. Super produksioni i TOB në Pallatin e Kongreseve bën bashkë trupat artistike me artistë pjesëmarrës, shqiptarë dhe të huaj. Histori dashurie, dramë, emocion dhe sfidë për të mposhtur dhimbjen që shkaktohet nga fati i njeriut! Në skenë vepra do të jetë me regji nga Ada Gurra, dirigjent Jacopo Sipari dhe kostumet nga Ardi Asllani. Në skenë me një kastë të njohur artistësh, sopranoja Eva Golemi do të jetë me rolin e Mimisë. Sopranoja e njohur tregon se Mimi është një personazh, që e ka luajtur shumë herë ndër vite. “Personazh që e dua shumë. Personazh i brishtë. E kundërta e roleve, që unë zakonisht luaj por gjithmonë rol Puçinian dhe unë jam përcaktuar, si këngëtare e roleve të tilla. Me të kam marrë dhe çmimin “Kult” për herën e dytë me Mimi në vitin 2016, sepse të parin e kam marrë me Liu nga “Turandot” në vitin 2006”, thotë sopranoja e njohur Eva Golemi. Opera “La Boheme” do të jetë në skenë mbrëmjet e datave 13 mars dhe 15 e 16 të muajit, që vjen. Ndërsa ka nisur puna për rivënien e operës “La Boheme” shkruar nga autori Giacomo Puccini, Teatri i Operës dhe Baletit thotë se kjo vepër ka pasur rëndësi në historinë e këtij institucioni. “Nga premiera e parë në vitin 1963, kjo vepër konsiderohet si një ndër veprat me numrin më të madh të shfaqjeve në teatrin tonë”, shprehet mes të tjerave Teatri i Operës dhe Baletit.
Opera në skenë
Vënë në skenë në teatro Regio Torino më 1 shkurt 1896, është opera e katërt e kompozuar prej Puçinit. “La Boheme” shënon daljen e Puçinit si kompozitor plotësisht të pjekur dhe origjinal, përmban disa nga ariet më të paharrueshme dhe skena muzikore në opera. Ai mbështetet në motive të shkurtër muzikore, që përfaqësojnë personazhet, temat dhe disponimi në mënyrë që muzika nënvizon dhe nxjerr në pah aspektet e dramës. Në rastin e Mimisë dhe Rodolfos, frazat muzikore të sjellin rreth operës së plotë dhe lë muzikën të zbulojë kujtimet e përsëritura në mendjet e të dashuruarve si thonë ata lamtumirë. Më herët kur kjo opera erdhi në skenë, teatri shprehej se kemi dhe këndvështrimin romantik bohemian të Puçinit në qytetin e Parisit, me muzikë të mrekullueshme dhe një histori dashurie e marrë nga jeta e përditshme. TOB bënte me dije se “La Boheme” është një nga veprat më të dashura të të gjitha operave dhe Puçini e himnizon dashurinë, e cila nuk vdes edhe me ikjen e njeriun në botën e përtejme. “Dashuria është lumturi që nuk mbaron, sepse dashuria lind me shpirtin dhe jo me materien. Dashuria jeton përgjithmonë. “La Boheme”, jeta e katër artistëve të cilët identifikohen në veprimet e jetës së përditshme, ku dashuria është vetëm një ndërhyrje e shkurtër deri në momentin kur ngjarja tragjike bie mbi ta, duke i shenjuar përgjithmonë. Këto dhe shumë të tjera në operën “La Boheme””, shprehet TOB. Kjo opera i takon rrymës së verizmit (të vërtetës), mbetet një nga operat më të suksesshme dhe nga më populloret dhe vazhdon të luhet në të gjithë teatrot prestigjiozë të operës në botë. Puçini shkroi 14 opera, dhe shumë këngë, të cilat janë shumë të njohura nga publiku mbarë botëror, veçanërisht aria “Nessun dorma” nga “Turandot,” e cila u këndua nga Luciano Pavarotti, në vitin 1990 me rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit, i cili u zhvillua në Itali.
https://sot.com.al/kultura/la-boheme-e-pucinit-tre-mbremje-per-publikun-ne-pallatin-e-kongreseve-79