Veprat e kompozitorit Feim Ibrahimi do të shikojnë dritën e skenës këtë të enjte (19.00), në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse. Ndonëse, u formua në shkollën shqiptare të muzikës (1966), nën drejtimin e profesor Tish Daija, artisti është cilësuar nga kritika e kohës, si kompozitori që tronditi tabutë e realizmit socialist. Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Zana Çela, teksa na renditë veprat e kompozitorit, që prej 25 vitesh nuk është më mes nesh, ndalet më gjerësisht tek kontributi i tij në muzikën shqiptare.

“Ne kemi pas fatin të risjellim fondin e artë të krijimtarisë së mjeshtërve, që janë vrazhda kryesore e themelit të krijimtarisë muzikore në artit tonë. Feim Ibrahimi me krijimtarinë e tij shumë të gjatë i bëri sfidë mentalitetit të asaj kohe, tendencës së realizmit socialist. Ishte ndër të parët kompozitor, që u arsimua në shkollën tonë, edhe krijimtaria e tij shënon një moment shumë interesant në krijimtarinë muzikore shqiptare. Ai i ka sjell kombit shumë vepra në krijimtarinë muzikore shqiptare, nga miniaturat e vogla për piano tek vepra skenike edhe simfonike, por ku nuk mungojnë as vepra të muzikës akustike”, thotë drejtoresha e TKOB-së, Zana Çela.

https://shqiptarja.com/lajm/koncerti-rrjedh-ne-kenge-e-ligjerime-veprat-e-feim-ibrahimi-shikojne-driten-e-skenes