Turi i koncerteve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore jashtë vendit u mbyll në qytetin Odesa të Ukrainës. Artistët e ansamblit përcollën një program të pasur për pjesëmarrësit në këtë koncert. Më herët artistët e Ansamblit Popullor zhvilluan koncerte dhe në qytetet italiane, por edhe në Ukrainë gjithashtu u përcollën perlat e krijimtarisë sonë popullore. Mjeshtri i valleve Genc Kastrati para koncerti bënte me dije, se e veçanta ishte komuniteti i shqiptarëve të Ukrainës, që më parë ishin trajnuar nga artistët e ansamblit. “Në koncertin e Ukrainës ne kemi përzgjedhur një program të larmishëm dhe pjesë e këtij programi do të jetë dhe një pjesë e komunitetit të shqiptarëve të Ukrainës, që janë trajnuar nga stafi i ansamblit. Një koncert i larmishëm jo vetëm për shqiptarët e Ukrainës, por dhe për të gjithë pjesëmarrësit e tjerë”, shprehej Kastrati, mjeshtri i valleve. Gjatë këtij turi janë zhvilluar koncerte në Itali, Kroaci dhe në Ukrainë. Qyteti i Odesës ku është vendosur edhe një komunitet shqiptarësh e mirëpriti koncertin, që erdhi si përmbyllje e trajnimeve që Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës kryen më herët. Për publikun u soll një koncert me një program, që përmbante këngën dhe vallen e gjithë krahinave. Bashkëpunimi i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore me Agjencinë Kombëtare të Diasporës synon në njohjen e elementëve kulturor, antropologjik, historik dhe folklorik te më të rinjtë e komunitetit shqiptar në Ukrainë. Por sipas Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, 2019 është viti që Ansambli Popullor dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës jetëzuan idenë e tyre për të qenë me vallet, këngët, muzikën dhe kostumet e traditës te diaspora. “E enjtja në mbrëmje mbylli këtë angazhim me një koncert në Odesa të Ukrainës. Për shqiptarët e Karakurtit, Ansambli Popullor ngjiti në skenë një koncert me një program identifikues të trashëgimisë tonë më të mirë”, bën me dije TOB
Ansambli Popullor
Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) ose ansambli shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. Mbështetja e AKVP-së tek kjo pasuri burimore dhe ekspeditat e ndryshme të zhvilluara në të gjitha zonat kanë bërë që AKVP-ja të jetë jo vetëm krenaria e kulturës tradicionale shqiptare, por edhe të mahnitë me vlerat e tij studiues e folkloristë nga e gjithë bota. AKVP-ja prej dekadash është kthyer në një laborator për përpunimin dhe interpretimin me kërkesa mjaft të larta artistike të thesarit të madh burimor folklorik duke bërë të mundur transmetimin e tij brez mbas brezi. AKVP-ja ka mbledhur artistët më të talentuar në këtë drejtim, që të pasqyrojë sa më denjësisht kulturën shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në repertorin e tij janë mbi 100 valle me motive nga të gjitha trevat shqiptare, me tematikë të larmishme e koreografi të spikatur. Repertori muzikor ka luajtur një rol të fuqishëm dhe mjaft të suksesshëm në jetën e ansamblit. Vlera të mëdha artistike ka orkestra me instrumentistë nga më të zgjedhurit. Këngëtarët interpretues kanë qenë dhe janë krenaria e vokalit shqiptar. Edhe kori me përpunimet dhe harmonizimet e këngëve burimore dhe të krijuara, ka dhënë një kontribut shumë të vlefshëm si pjesë e domosdoshme dhe e rëndësishme e ansamblit.
https://sot.com.al/kultura/ansambli-popullor-nje-koncert-me-program-te-pasur-muzikor-ne-odesa