Opereta “Lakuriqi i natës”, një nga kryeveprat e Johann Strauss për dy mbrëmje do të jetë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi”, në qytetin e Korçës. Kjo vepër sjell në Korçë artistët më në zë të Teatrit të Operës dhe Baletit. Vepra është premierë në teatër, në mbrëmjet e datave 1 dhe 2 nëntor. Drejtoresha e teatrit Zamira Kita shprehet se nuk duhet humbur opereta “Lakuriqi i natës”, që është shkruar nga Johann Strauss. “Mos e humbisni këtë kryevepër”, pohon Kita për këtë shfaqje. Opereta “Lakuriqi i natës” vjen përmes muzikës, arieve dhe valseve në skenë, një mbrëmje gazmore me artistët më të njohur të Teatrit të Operës dhe Baletit. “Lakuriqi i natës” kompozim nga Johann Strauss, libreti është shkruar nga Karl Haffner dhe Richard Genee. Vepra vjen në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në qytetin e Korçës me regji dhe koreografi nga Renato Zanella dhe dirigjente Deniola Kuraja. “Lakuriqi i natës” ofron një komedi situatash dhe ngatërresash, që në të vërtetë i has edhe sot. Gra e burra kurorëshkelës, gjyqtarë e drejtorë burgjesh të korruptuar, politikanë pijedashës, artiste mendjelehta dhe shërbëtore që duan të arrijnë nivelet e zonjave të tyre. Opereta “Lakuriqi i natës” është historia e Eisenstein. Në festën e vitit të ri ai duhet të ishte në burg, pasi goditi një oficer policie. Atë mbrëmje pasi e gënjeu bashkëshorten, Rosalinde, shkon në ballon me maska të princit bujar Orlofsky. Ajo e di këtë dhe e ndjek, duke u prezantuar në festë si një konteshë hungareze. Pas identiteteve të rreme, Eisenstein përpiqet të joshë konteshën, pa e ditur që pas maskës është bashkëshortja e tij. Pas kësaj operete në skenën e teatrit të Korçës do të vazhdojnë dhe të tjera veprimtari artistike dhe kulturore në vijim të sezonit artistik.

43 ditë për të shkruar veprën

“Lakuriqi i natës” është një operetë nga Johann Strauss ( i biri i kompozitorit me të njëjtin emër). Muzikantit iu deshën vetëm 43 ditë për të përfunduar veprën, e cila do t’i jepte atij famën. Johann Strauss ka shkruar afro 500 kompozime të muzikës së vallëzimit, si valse, polka, kadrila, galope, etj. Me forcën e madhe të talentit të tij, shpërtheu në valset, të cilat janë plot melodi, freski dhe origjinalitet. Ato shquhen për ritmin e tyre, duke mos lënë pas edhe orkestracionin shumë tingëllues. Ai ka kompozuar 15 opereta, një opera komike dhe një balet, duke u cilësuar mjeshtër operetash. Në 30 vitet e fundit të jetës së tij, ai u mor më shumë me këtë gjini muzikore skenike. Veprën e parë muzikore për teatër, Strauss e krijoi në vitin 1870 dhe vazhdoi të shkruajë në këtë gjini me plot energji deri në ditën e fundit të jetës së tij. Në veprat teatrale që ai krijoi, ashtu si dhe në ato koncertale, mbizotëron aroma e dansit e paraqitur në formën e valsit, polkës, galopit, çardashit e më gjerë, të cilat cilësohen si opereta vallëzuese. E tillë është edhe njëra prej operetave të Strauss “Lakuriqi i natës”. Karakteri vallëzues përshkon të gjithë numrat e partiturës, duke filluar që nga uvertura, në të cilën janë bashkuar të gjitha temat kryesore të operetës. Ndër vepra të tjera të Strauss mund të përmendim edhe “Natë në Venecia” 1883, “Baroni cigan” 1885 etj. Veprat e tij shquhen dhe vlerësohen nga kritika muzikore për nivelin e lartë artistik. Rëndësia e operetave të Johann Strauss, qëndron në radhë të parë në muzikën e tyre. Ai krijoi modelin klasik të “valsit vjenez” dhe të operetës “vallëzuese”. Veprat e tij gjithashtu kanë një vlerë të madhe artistike, sepse janë një pasuri e pashtershme melodish, vrulli të gëzuar dhe humori të përzemërt. Muzika e tij edhe pse ka kaluar shumë kohë që kur është krijuar, tingëllon përherë e freskët e magjepsës.

https://sot.com.al/kultura/lakuriqi-i-nates-me-artistet-e-teatrit-te-operes-dhe-baletit-dy-mbremje-ne-korce