Ansambli Popullor me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Diasporës i rikthehet tureve të koncerteve jashtë Shqipërisë. Pas Ukrainës, koncerti vazhdoi në Itali e në vazhdim me Kroacinë e kudo, ku jeton diaspora shqiptare. Në mbrëmjen e së shtunës kështjella “Aragonese” në Otranto “u pushtua” nga muzika dhe vallja popullore shqiptare. Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) ose ansambli shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. Mbështetja e AKVP-së tek kjo pasuri burimore dhe ekspeditat e ndryshme të zhvilluara në të gjitha zonat kanë bërë që AKVP-ja të jetë jo vetëm krenaria e kulturës tradicionale shqiptare, por edhe të mahnitë me vlerat e tij studiues e folkloristë nga e gjithë bota. AKVP-ja prej dekadash është kthyer në një laborator për përpunimin dhe interpretimin me kërkesa mjaft të larta artistike të thesarit të madh burimor folklorik duke bërë të mundur transmetimin e tij brez mbas brezi. AKVP-ja ka mbledhur artistët më të talentuar në këtë drejtim, që të pasqyrojë sa më denjësisht kulturën shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në repertorin e tij janë mbi 100 valle me motive nga të gjitha trevat shqiptare, me tematikë të larmishme e koreografi të spikatur. Repertori muzikor ka luajtur një rol të fuqishëm dhe mjaft të suksesshëm në jetën e ansamblit. Vlera të mëdha artistike ka orkestra me instrumentistë nga më të zgjedhurit. Këngëtarët interpretues kanë qenë dhe janë krenaria e vokalit shqiptar. Edhe kori me përpunimet dhe harmonizimet e këngëve burimore dhe të krijuara, ka dhënë një kontribut shumë të vlefshëm si pjesë e domosdoshme dhe e rëndësishme e ansamblit.
https://sot.com.al/kultura/ansambli-popullor-vazhdon-turin-me-koncerte-jashte-vendit