Në kuadër të tetorit gjerman në Tiranë dhe qytetet e tjera të Shqipërisë zhvillohen shumë aktivitete social-kulturore.
Një prej tyre, është edhe shfaqja e operës “Carmina Burana” e kompozitorit Carl Orff (1895–1982).
Kjo vepër do të vijë për publikun shqiptar të shtunën në ora 19:00 në Qendrën Kulturore, “Katedralja Orthodhokse”, Tiranë dhe hyrja do të jetë e lirë, bën të ditur ambasada gjermane në Tiranë.
O Fortuna! Me këtë thirrje ndaj perëndeshës së fatit nis „Carmina Burana“, kjo kantatë skenike nga Carl Orff, i cili prej kohësh konsiderohet një klasik i ri i historisë së muzikës. Brilante në thjeshtësinë e vet, depërtuese në ritmikë dhe përjetësisht e re në tematikë, Carmina Burana i jep flatra fantazisë si rrallë ndonjë vepër tjetër muzikore e shek. XX.
Carmina Burana sillet në skenë këtë vit nga Ambasada Gjermane në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Për këtë qëllim ajo ka ftuar Gudni A. Emilsson, i cili dirigjon prej shumë vitesh disa nga orkestrat më me emër në Gjermani dhe jashtë saj.
Me një total prej 140 interpretuesish nga kori dhe orkestra shfaqja do të sillet si një një vepër arti mbresëlënëse në Qendrën Kulturore, “Katedralja Orthodhokse” në Tiranë.