Më 4 tetor në Katedralen Orthodokse zhvillohet i pari koncert simfonik me kompozime të shekullit të XX nga kompozitorë kroatë dhe shqiptarë, me pjesëmarrjen e korit. Ai do të dirigjohet nga Alan Bjelinski, i biri i Bruno Bjelinskit një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës kroate, që vjen për herë të parë në Tiranë. E veçanta e koncertit është se përveç pjesëve kroate, në program do të luhen tri pjesë shqiptare: të Nikolla Zoraqit ‘Uverture Festive”, Pjetër Gacit ‘Baladë” me solist Gëzim Bulçarin dhe të Pëllumb Vorpsit “Fantazi për orkestër dhe kor mbi një valle popullore”, të gjitha kompozime që nuk luhen në skenën shqiptare prej një kohe të gjatë. Koncerti është një bashkëpunim i TKOBAP me ambasadën kroate. Dirigjenti dhe kompozitori Alan Bjelinski u rrit në një familje muzikantësh, të kompozitorit Bruno Bjelinski dhe pianistes Ljerka Pleslic-Bjelinski.

Ai dirigjoi thuajse të gjitha simfonitë dhe orkestrën e operës në Kroaci dhe një numër të madh orkestrash të huaja. Një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij ia kushtoi koreve me fëmijë dhe ansambleve vokale në Zagreb, duke qenë pjesë e programeve të edukimit për fëmijë dhe të rritur. Repertori i tij përfshin gjini të ndryshme, pasi bashkëpunimet e tij janë me artistë të muzikës klasike dhe asaj moderne. Alan Bjelinski është nderuar me disa çmime për angazhimet e tij si dirigjent, kompozitor, etj. Me orkestrën simfonike të Radio Televizionit Kroat, maestro Bjelinski ka bashkëpunuar në disa programe të ndryshme dhe gjithashtu regjistroi të gjithë krijimtarinë e Bruno Bjelinski, të atit të tij, si pjesë e trashëgimisë kulturore kroate.

http://www.gsh.al/2019/10/01/tinguj-kroate-e-shqiptare-te-shekullit-xx/