Sezoni artistik shtator-dhjetor i këtij viti për TKOBAP përmban 176 aktivitete. Nuk mungojnë premierat e ndryshme, që janë me artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit si dhe Ansamblit Popullor. Në 4 muaj kalendar artistik me 176 aktivitete, 14 janë premiera. Në sezonin artistik, 11 premiera janë të trupave artistike orkestër, kor, solistë, 1 premierë e trupës së baletit dhe 2 premiera të Ansamblit të Valleve dhe Këngëve Popullore. Drejtoresha e përgjithshme Zana Çela u shpreh se nëse në gjysmën e dytë të sezonit janar-korrik 2019 në qendër të vëmendjes ishte opera, këtë sezon të ri prioritet do të jetë Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore. “Gjatë katër muajve të këtij sezoni artistik Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore do të prezantohet në dy premiera, e para “Lule t’bukura ka Tirona” , kushtuar zërit simbol të muzikës së Shqipërisë së mesme, Merita Halili dhe premiera e dytë, që do t’i kushtohet orkestrës së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe jo vetëm kësaj orkestre, por gjithë artistëve që kanë interpretuar, që nga krijimi i tij”, u shpreh drejtoresha Çela. E pranishme në konferencë këngëtarja e njohur Merita Halili tha se koncerti përmban një krijimtari të pasur muzikore. “Rikthehem me “Lule t’bukura ka Tirona”, ju ftoj që të kënaqeni me këngët më të bukura të Shqipërisë së mesme, por dhe të tjera”, tha këngëtarja njohur, një nga emrat e dashur për publikun për këngët e saj. Dy mbrëmje me perlat e muzikës popullore qytetare Merita Halilin dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore vijnë më 27 dhe 28 shtator në skenën e Pallatit të Kongreseve. Drejtori artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, Gerti Druga u shpreh se në koncert vjen një krijimtari me materiale muzikore e patjetërsuar. “Materialet e koncertit janë të përzgjedhura, nuk janë të tjetërsuara, por të rifreskuara. Janë materiale muzikore të sjella në kohë”, u shpreh Druga. Një moment i rëndësishëm janë edhe turet, që Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore do të zhvillojë në Ukrainë, Itali dhe Kroaci në kuadër të marrëveshjes me Ministrinë e Diasporës, që ka në fokus mësimin e këngëve dhe valleve popullore kryesisht brezave të rinj të diasporës.
Baleti dhe aktivitetet e tjera
Një tjetër premierë mjaft e rëndësishme është në balet. Drejtoresha e përgjithshme e institucionit Zana Çela u shpreh se është një premierë me koreografi të Angjelin Preljocaj. “Nga muaji nëntor deri në dhjetor trupa jonë e baletit do të zhvillojë 30 masterclass në Francë, në kompaninë e shqiptarit të famshëm të skenave botërore Angjelin Preljocaj. Përveç masterklasit, në janar, në skenën shqiptare do të ngjitet premiera botërore e baletit “Annonciation” me koreografi të Preljocaj”, tha Çela. Por ky sezon sipas drejtoreshës së TOB do të sjellë dhe “Cavalleria Rusticana”. “Shfaqjet operistike mbeten në vëmendjen tonë. Në dhjetor do të ngjisim në skenë “Cavalleria Rusticana”, një premierë koncertale”, bëri me dije drejtoresha e TKOBAP. Mjeshtrat që themeluan TKOB do të vazhdojnë të jenë pjesë e kalendarit artistik. Kjo do të nisi me njërin prej emrave shumë të rëndësishëm, Feim Ibrahimi, jo vetëm krijues, por edhe drejtor artistik ndër vite i TKOB. Do të ketë një koncert të madh në nder të figurës së tij, ku përfshihet e gjitha krijimtaria e tij në gjini të ndryshme. Një moment i rëndësishëm është 75 -vjetori i çlirimit të vendit. Duke folur për kalendarin artistik, drejtoresha Çela u shpreh se do të ketë një koncert të madh gjithnjë, duke iu referuar krijimeve të TKOB për atë periudhë. “Kujtojmë një emër të madh, në 100 vjetorin e lindjes si Kostandin Trako, dirigjenti i parë i korit në TKOB”, u shpreh Çela. Kalendari artistik këtë sezon do të vazhdojë të vihet në skenat si Pallati i Kongreseve, “ArTurbina” apo Qendra Kulturore në Katedralen Ortodokse.