Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit Zana Çela prezanton kalendarin për sezonin artistik. Teksa thotë se do të jenë 167 aktivitete gjatë këtij sezoni; një opera, një balet nga Angjelin Perljocaj shton edhe se vëmendja më e madhe do të jetë tek Ansambli i Këngëve edhe Valleve Popullore. Trupa e Baletit do të udhëhiqet nga Manjola Hasani
Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Zana Çela, prezantoi kalendarin artistik përgjatë muajve shtator-dhjetor. Ajo rrëfen se nëse gjatë sezonit që lamë pas (janar-korrik 2019) në qendër të vëmendjes ishte opera, në këtë sezon të ri prioritet do të jetë Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore me dy premiera; “Lule të bukura ka Tirana” , kushtuar zërit simbol të muzikës së Shqipërisë së mesme, Merita Halili dhe premiera e dytë që do t’i kushtohet artistëve të Ansamblit të Këngëve edhe të Valleve Popullore, që nga krijimi i saj deri më sot.
“Para dy ditësh hapëm sezonin tonë artistik, që do të pasojë me shumë shfaqje. Në total janë 167 aktivitete. Në 6-mujorin e parë u dhamë prioritet shfaqjeve operistike, “La boheme” dhe “Il trovatore” edhe baletit modern në këtë sezon kemi vendosur, që t’i japim prioritet Ansamblit të Këngëve edhe Valleve me dy premiera, “Lule të bukura ka Tirana” edhe njëkohësisht një tjetër premiere shumë të bukur, që i kushtohet orkestrës së Ansamblit të Këngëve edhe Valleve, që prej themelimit të saj, deri sot”, thotë drejtoresha e TKOB-së, Zana Çela.
Më tej drejtoresha e institucionit të Operës prezanton edhe disa nga aktivitetet e tjera, që do të jenë pjesë e këtij kalendari artistik, ku një vëmendje e madhe do t’u kushtohet edhe mjeshtërve të skenës sonë të artit ndër vite
“Vëmendja jonë do të jetë edhe tek një prej emrave më të rëndësishëm, Fehim Ibrahimi, i cili ka qenë jo vetëm një krijues i rëndësishëm, por edhe drejtues i TKOB. Edhe do të përkujtojmë edhe 75-Vjetorin e Çlirimit të Vendit, ku do t’i kushtojmë vëmendje, duke festuar 100-vjetorin e lindjes së dirigjentit Kostandin Trakos, i cili erdhi nga radhët e luftës dhe solli i pari meloditë edhe këngët, që lindën gjatë luftës, duke i ngjitur në skenën e filarmonisë edhe të operës. Ndërsa, do të rrisim edhe bashkëpunimin tonë me Ministrinë e Diasporës për turne jashtë vendit, për zhvillimin e programit edukimi përmes artit do të zhvillojmë workshope”, thotë më tej Çela.
Për këtë sezon është programuar edhe një shfaqje operistike “Cavalleria Rusticana”, ndërsa, si premierë në balet do të jetë “Shpallja”me koreografi të Angjelin Preljocaj.
“Do t’i japim rëndësi edhe premierës absolute të Angjelin Preljocajt, që i jep esksluzivitetin trupës shqiptare të baletit. Vepra e Perljocajt, që titullohet “Shpallje” do të performohet në skenën e Artubinës në muajin dhjetor. Ndërsa, më herët balerinat tona do të shkojnë atje për t’u trajnuar, për ta performuar në tur edhe për t’u rikthyer në Shqipëri”.
Koncerti recital i “Lule të Bukura ka Tirana” i këngëtares Merita Halili në dy mbremjet (27-28 shtator në Pallatin e Kongreseve) shoqërohet nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore.
“Është kënaqësi për mua, që pas 30 vitesh kthehem në Ansamblin e Këngëve edhe të Valleve Popullore. Jam shumë e lumtur, të rikthehem me koncertin recital “Lule të bukura ka Tirana”, ku do të ketë këngë të Shqipërisë së Mesme edhe të krahinave të tjera”, thotë këngëtarja.
Drejtuesi i Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, Gerti Druga,e konsideron shumë të rëndësishëm këtë koncert, që sipas tij është një rikthim tek tradita.
“Është me shumë rëndësi ky koncert, sepse kemi të bëjmë me një rikthim të këngëve më të mira të traditës shqiptare. Materialet që kemi zgjedhur nuk janë tjetërsuar, por do të vijnë të rifreskuara në pikëpamjen e orkestracionit, do të vijnë të gjitha në kohë për t’u kujtuar të gjithëve se kemi një taban të jashtëzakonshëm”, shprehet Druga.
Risi është edhe që trupa e baletit gjatë këtij sezoni do të jetë nën udhëheqjen e koreografes Manjola Hasani, e cila zëvendëson koreografen Enada Hoxha.
“E njoh shumë mirë këtë trup baleti, pasi kam qenë pjesë e saj para shumë vitesh. Jam shkëputur për dhjetë vite, por njoh shumë mirë artistët, që janë të talentuar edhe me përvojë. Por, edhe artistët e rinj do të kenë të gjithë vëmendjen time, për të vazhduar traditën e bukur të baletit, që ka ky institucion. Prioritet imi është niveli edhe cilësia artistike”, thotë Hasani.
Kalendari artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit do të vazhdojë të vihet në skenat, si Pallati i Kongreseve, Arturbina edhe Qendra Kulturore në Katedralen Orthodokse.