Teatri Kombëtar i Operës edhe Baletit përfundon sezonin artistik. Drejtoresha Zana Çela prezanton tre koncertet e fundit, që do të luhen në parqet e Tiranës. Ndërsa, sipas saj, rikonstruksioni i operës mund të përfundojë në fillim të 2020-s.
Aktivitetet përmbyllëse për këtë sezon artistik Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do t’i zhvillojë në parqet më të frekuentuara nga qytetarët e Tiranës. Përgjatë tre netëve publiku do të ketë mundësinë që të shijojë këngët qytetare, tradicionale, por edhe baletet bashkëkohore. Vet drejtoresha e Operës, Zana Çela prezantoi paraprakisht, atë çfarë artdashësit do të kenë mundësi që të shijojnë.
“Kam dëshirë që t’ju prezantoj tre aktivitetet e fundit, që TKOB do të realizojë në mbyllje të këtij sezoni. Janë tre mbrëmje interesante, ‘Opera në Park’, që i realizojmë në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës. Nata e parë është në datë 18 korrik, ora 21.00 edhe titullohet “Kur perëndon dielli”. Dekori ynë do të jetë në një nga parqet më të dashura për tiranasit, pas monumentit të Skënderbeut ku shqiptarët kanë realizuar fotot familjare. Koncerti i parë do të ekzekutohet nga formacioni i orkestrës, me këngë qytetare të përpunuara, por edhe të autorëve, që janë bërë shumë të dashura për publikun, aq sa nuk dallohen më nëse janë të Pjetër Gacit, Çesk Zadesë apo Feim Ibrahimit, si “Për ty atdhe”, “Rrjedh në këngë edhe ligjërime” etj. Do të marrin pjesë orkestra, solistët edhe kori i operës”, shprehet drejtoresha Zana CCela.
Ndërsa, në natën e dytë, skena do të zhvendoset në parkun “Rinia” pas Monumentit të Pavarësisë, edhe i dedikohet ansamblit të këngëve edhe Valleve.
“Është një koncert me këngë shumë të bukura, nga të gjithë krahinat e vendit. Ndërsa, në natën e tretë do të jetë trupa e baletit, që do të kërcejë në ritme latine shumë të bukura”, shprehet Çela.
Përsa i përket rikthimit të artistëve në shtëpinë e tyre, në shtëpinë e tyre në Teatrin e Operës dhe Baletit, Çela shprehet se: “Jam shumë optimiste, që sezonin e 2020-s do ta startojmë në teatrin e ri”.
Stafi i operës ka menduar edhe se cila do të jetë vepra, që do të çel sezonin artistik në Teatrin e Operës të rikonstruktuar, por do të informojë publikun gjatë muajve në vazhdim.